Rregullatori i energjetikës ka pajisur me leje pune ndërmarrje të llojeve të ndryshme në sferën e energjetikës, por me kushte që duhen plotësuar. Zyra për Regjistrimin e Bizneseve ka reaguar ndaj këtij vendimi.
Prishtinë, 4 tetor 2006 Gjatë një seance publike, Bordi i Zyrës Rregullatore për Energji (ZRRE), ka lëshuar tetëmbëdhjetë licenca për gjenerim dhe transmetim të rrymës, licenca për shpërndarje të ngrohjes qendrore, licenca për operatorë sistemi, për furnizim publik dhe për tregtim të energjisë.
ZRRE-ja njoftoi se Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), iu lëshuan licenca për gjenerim të “Kosovës A” dhe gjenerim të “Kosovës B”, licencë shpërndarjeje për furnizimi publik si dhe licence furnizimi dhe tregtimi.
Transmetuesit të pavarur të tregut (KOSTT), iu lëshua licenca për transmetim të energjisë për 30 vite, me garancinë që do të mbulojë tërë territorin e Kosovës. KOSTT-i po ashtu u licencua si operator i pavarur i tregut për 30 vitet e ardhshme.
Triangle Contractors ka fituar licencë gjenerimi në hidrocentralin Ibër – Lepenc në Ujman. Licenca u janë shpërndarë edhe ngrohtores Termokos për gjenerim, shpërndarje dhe për furnizimi publik.
Për të njëjtat aktivitete është licencuar edhe ngrohtorja Gjakova. Sa i përket KEK-ut, licenca iu lëshuan Kosovës A për 5 vite dhe Kosovës B për 20 vite. Leje për aktivitete tashmë ka edhe hidrocentrali i Lumëbardhit për 20 vite , ndërmarrja publike Ibër Lepenci, Hidrocentrali i Ujëmanit për 15 vite.
Me dy vota kundër nga përfaqësues të Bordit të ZRRE-së e kanë fituar licencën dy vjeçare kompania “Aegft” dhe “EFT” nga Zvicra, dhe “Ezpada” nga Republika Çeke.
Zyrtar të ZRRE-së kanë theksuar se licencat në fjalë janë mjet i kësaj zyre për të kontrolluar më mirë aktivitetet e operatorëve në fushën e energjetikës.
“Këto licenca do t’i mundësojnë ZRRE-së që të monitorojë më mirë plotësimin e kushteve të nevojshme, siç parashihen edhe në licencë nga ana e operatorëve në fushën e energjisë elektrike, dhe të marrim masa nëse shkelet një nga këto kushte”, tha Nick Frydas, kryesues i Bordit të ZRREsë.
Ndërkaq zyrtar të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), shprehen kundër dhënies së licencave për furnizim dhe tregtim operatorëve të cilët nuk janë të regjistruar në Kosovë.
Haxhi Ramaj, shef për regjistrimin e bizneseve në MTI, tha se lëshimi i licencave për operatorët e mësipërm bie ndesh me nenet e Ligjit të rregullatorit për energji 2004/9, në të cilin thuhet se asnjë biznes nuk do të mund të licencohet ose të zhvillojë veprimtari ekonomike në Kosovë pa qenë i regjistruar.
Ai e akuzoi ZRRE-në për mos shqyrtimin e ligjit që ka të bëjë me të ardhurat e korporatave apo të ardhurave personale nëse kemi të bëjmë me persona fizikë, me rastin e marrjes në shqyrtim lëshimin e licencave.
Ndërsa Frydas tha se nuk ka nevojë që të shtyhet licencimi për arsye të mosregjistrimit të mëparshëm. Sipas tij, regjistrimi në këtë rast do të ishte tërësisht i panevojshëm, pasi që operatorët në fushën e energjisë elektrike në asnjë rast nuk do të paguanin taksa apo TVSH-në për Kosovën.
“Kosova ka nënshkruar Traktatin për energji elektrike që do të hyjë në fuqi vitin tjetër, me të cilin tregtarëve të licencuar në një vend nënshkrues të traktatit do t’u pranohet licenca në vendet tjera që janë po ashtu nënshkrues të traktatit pa asnjë kusht”, tha ai.
ZRRE-ja njoftoi se bordi i saj ka marrë dhe ka shqyrtuar komente nga të gjitha palët e kyçura në sektorin e energjisë dhe pas shqyrtimit të aplikacioneve ka vendosur që të lëshojë këto licence me kushte që duhet të përmbushen brenda një afati kohor të përcaktuar .
Gazeta Express