Tiranë, 5 prill 2004 – Financimi i projektit prej 1 milion euro synon të përmirësojë statistikat shqiptare dhe të rrisë monitorimin e BE-së mbi ekonominë shqiptare. Kjo është bërë e ditur dje në konferencën e përbashkët të Këshillit Evropian, Institutit Shqiptar (INSTAT) dhe atij Italian të Statistikave (ISTAT). Ky projekt, i cili mbështetet Komuniteti Europian, do të vihet në zbatim nga ana e Institutit Italian të Statistikave me qëllim mbështetjen e INSTAT-it. Projekti, i cili do të kryesohet nga ISTAT, do të zbatohet në bashkëpunim me Institutin Finlandez të Statistikave (Statistics Finland) dhe Zyrën Qendrore të Statistikave të Hungarisë (HCSO). Përmes këtij projekti synohet që INSTAT dhe ISTAT të binjakëzohen, për të rritur kështu cilësinë dhe standardet e statistikave shqiptare dhe në këtë mënyrë të rritet monitorimi i BE-së mbi ekonominë shqiptare, duke i përafruar statistikat me ato të Bashkimit Evropian.
Projekti është një pakete e programit CARDS NATIONAL 2002 që do ta ndihmojë INSTAT-in në një llogaritje më të mirë të statistikave të llogarive kombëtare, si dhe të statistikave ekonomike të bujqësisë. “Nëpërmjet këtij projekti synohet të binjakëzohen institutet e statistikave të të dyja vendeve, në mënyrë që të përshtaten në Shqipëri metoda matjeje në përputhje me metodologjinë e BE-së”, – tha drejtoresha e INSTAT-it, Milva Ekonomi. Ajo shtoi se kjo do të çonte në përmirësimin e mënyrës së llogaritjes, duke u reflektuar edhe në rritjen e besueshmërisë së statistikave shqiptare. Ajo përmendi edhe problemet që haseshin me statistikat që pasqyronin rolin e bujqësisë në prodhimin e brendshëm bruto (PBB).
Kështu, në vitin 2001 roli i bujqësisë në PBB llogaritej të ishte mbi 50 për qind (sipas INSTAT-it), ndërsa vetëm dy vjet më vonë, pra në 2003, sipas një vlerësimi të Bankës Qendrore, i njëjti tregues ishte reduktuar në 24 për qind.
Nga ana tjetër ambasadori i BE-së në Tiranë Lutz Salcman tha: “BE-ja ishte e angazhuar në rritjen e kapaciteteve administrative të strukturave shqiptare, çka e dëshmonte edhe granti njëmilionësh”. Ndërkaq drejtori i përgjithshëm i INSTAT-it, italian dr. Olimpio Cianfarani, theksoi: “Kërkoj një bashkëpunim më të lartë me qëllim që brenda një afati të shkurtër të kemi statistika më të mira”. Ky kontribut, sipas dr. Cianfaranit, do të mundësohej nëpërmjet unifikimit të statistikave shqiptare me ato të BE-së, çka kërkonte nga pala shqiptare sigurimin e statistikave të besueshme në përgjithësi, e në veçanti përmirësimin e të dhënave mbi PBB-në dhe mbi statistikat e sektorit bujqësor.
ECIKS / Biznesi