AKB kërkon korrigjimin e politikave tatimore

Prishtinë, 03 prill 2004 – Aleanca Kosovare e Biznesit konsideron se protestat e fundit kanë shkaktuar dëme në zhvillimin normal të aktiviteteve afariste dhe kërkon nga institucionet masa për tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj situate.

AKB konkludon se me protesta është rrezikuar prona dhe pasuria e bizneseve si dhe është dërguar një mesazh jo i përshtatshëm për investitorët e jashtëm potencialë. Kështu tha Agim Shahini kryetar, në një paraqitje para gazetarëve sot: “Bordi konsideron se përkundër situatës së vështirë dhe të rëndë të gjithë akterët e shoqërisë kosovare duke përfshirë UNMIK-un, institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqërinë civile duhet të nxjerrin mësim të duhur dhe të marrin masa për tejkalimin e situatës së krijuar, në krijimin e kushteve normale për jetë, punë dhe biznes në Kosovë.” Veç kësaj AKB-ja edhe njëherë kërkon nga organet e politikave ekonomike që sa më shpejt të merren vendime në korrigjimin e politikave tatimore dhe taksave duke propozuar sistemin dytarifor doganor, ku lënda e parë dhe inputet kapitale do të doganoheshin me një normë të ulët 1-2%. AKB kërkon edhe perfeksionimin e aplikimit të TVSH-së si dhe fton asambletë komunale që të rishikojnë vendimet e tyre në mënyrë që bizneset të mos kenë nevojë për licencim të çdo-vitshëm.

ECIKS / RTK