Një miliardë USD investime në Kosovë !

Prishtinë, 5 maj 2004 -Disa biznesmenët amerikanë të cilët po qëndrojnë në Kosovë në krye me Hanry Pinkenshtajn nga “American development consulting group” i Çikagos zhvilluan takime me kryeministrin Bajram Rexhepi dhe ministrin e Tregtisë e Industrisë Ali Jakupin, me ç’rast u njohën me infrastrukturën ligjore për investimet e huaja. Pikenshtajn tha se në Kosovë sheh shumë mundësi për zhvillimin ekonomik, dhe, siç u shpreh ai, tani është koha kritike për zhvillimin e Kosovës. “Qëllimi ynë është që të vijmë këtu e të shohim cilat investime janë më të mira. E dijmë se këtij vendi i duhen investimet, ne kemi një fond që do ta përdorim për këtë. Do të investojmë në të gjitha fushat, së pari në infrastrukturë, sepse ajo është bazë e nevojshme për çdo ekonomi, në ujëra, në rrugë, elektricitet dhe të gjitha ato që ju nevojiten juve, prej nga ju mund të zhvilloni një ekonomi të lirë dhe stabile”, ka thënë z. Pikenshtajn. Koorditanori i Kosovës në Paktin e Stabilitetit Besim Beqaj pas këtij takimi tha se “ Së bashku me biznesmenët nga Çikago, kryesisht ishte tema se si të trimërojmë vendasit dhe diasporën që të vijnë me investimet e tyre për të investuar në fushat që në momente të caktuara mund të kenë interes ekonomik edhe për këta, por edhe për Kosovën”. Pikenshtajn, pas takimit me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, tha se kanë biseduar për bashkëpunimin me qeverinë përsa u takon investimeve, duke shtuar se është “diskutuar për gjëra konktrete në bujqësi, në biznes dhe infrastrukturën që i duhet vendit tuaj. Ne jemi të interesuar të ndihmojmë”. Ndërsa ministri Jakupi, pohoi se përveç sektorit të bujqësisë, me biznesmenët amerikanë kanë biseduar edhe për kapacitetet industriale, për turizmin etj. “Ne ia mundësuam t’i definojë disa çështje të cilat i interesonin këtij, sidomos legjislacionin që ka të bëjë me investitorët e huaj, me efektet që mund të arrijë me investimet e veta këtu dhe e konsiderojmë se ishte një bisedë e nevojshme, pritet që në kohë të caktuar të japë efektet e veta”, tha ministri Jakupi. Ministri Jakupi theksoi se edhe barrierat me të cilat janë ballafaquar investitorët e jashtëm po zvogëlohen ndërsa potencoi se është bërë disejnimi i ministrive për joshjen e investitorëve të huaj, të cilët gjatë regjistrimit apo fazave tjera për fillim të veprimtarisë nuk do të ndeshen me burokraci, madje edhe mundësitë për korrupcion do të jenë të limituara tha ministri. Biznesmenët amerikanë, zhvilluan sot takime edhe me zyrtarët e KEK-ut dhe të IPKO-netit.

ECIKS / Rtklive