Qeveria: të mos ndryshohet projektligji për huazime afatgjata

Prishtinë, 6 maj 2004 -Qeveria e Kosovës përmes një letre që i ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Nexhat Dacit, kërkoi që komisionet parlamentare të mos ndërhyjnë në esencën e projekligjit për marrëveshjet financiare ndërkombëtare. Kjo kërkesë e qeverisë është konfirmuar të martën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nga zëdhënësi i legjislativit, Sherif Konjufca. Projekligji për marrëveshjet financiare ndërkombëtare, ose siç quhet në praktikë projektligji për huazime afatgjata, është konsideruar nga ekspertët e ekonomisë si hapi i parë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Esenca e këtij ligji është që Kosovës t’i mundësohet afrimi me institucionet financiare ndërkombëtare dhe të krijohet mundësia e marrjes së kredive të jashtme për financimin e projekteve të karakterit publik afatgjatë. Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim të ngushtë midis qeverisë dhe Shtyllës IV të UNMIK-ut dhe gëzon një përkrahje të madhe nga organizmat ndërkombëtarë në Kosovë. Institucionet ndërkombëtare me presionin e Paktit të Stabilitetit janë pajtuar që Kosovës t’i mundësohen kreditë me afat të gjatë. Statusi i pazgjidhur politik ka pamundësuar marrjen e kredi të jashtme për financimin e projekteve kapitale. Nëpërmes këtij ligji pritet të mbulohet boshllëku i zvogëlimit të donacioneve të huaja. Ky ligj i aprovuar në parim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është bërë objekt diskutimi në sesionin e fundit plenar të Kuvendit të Kosovës dhe me kërkesën e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që aktualisht përbëjnë shumicën në Kuvend, është rikthyer për rishqyrtim. Projekligji për marrëveshjet financiare ndërkombëtare që është hartuar qeveria, është cilësuar si shumë i rëndësishëm për fazën në të cilën po kalon vendi. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë së dytë parlamentare, rikthimin në shqyrtim të mëtejshëm e kanë cilësuar të motivuar politikisht dhe jo për arsye juridike.

ECIKS/Biznesi