PRISHTINË – Ministria për Ekonomi dhe Financa ka filluar përgatitjet për zbatimin e partneritetit privat-publik në Aeroportin e Prishtinës, bëjnë të ditur të mërkurën zyrtarë për informim në këtë ministri. “Komiteti drejtues ndërministror ka mbajtur takimin për të analizuar arsyen e dhënies me koncesion, si dhe për përgatitjen dhe zbatimin e partneritetit publik privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili është themeluar me vendimin e Qeverisë nr. 14/24 më 12.06.2008”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MEF-i. Edhe pse studimet për arsyetimin e koncesionit janë bërë gjatë mandatit të qeverisë së kaluar, zyrtarë të MEF-it pohojnë se procedurat do të fillojnë nga e para. “Ky është një hap i parë dhe i rëndësishëm në rrugën e përzgjedhjes së opsioneve më të mira për operimin dhe investimin në ANP, ku mund të përfshihen edhe ekspertizat dhe investimet nga sektori privat”. Në mbledhjen e tij të parë Komiteti drejtues ndërministror vendosi të punojë me ekspertë me përvojë ndërkombëtarë dhe lokalë. Ky takim u kryesua nga ministri Fatmir Limaj , pjesëmarrës ishin edhe anëtarët e këtij komisioni, ministri Ahmet Shala, ministri Lutfi Zharku , ministri Mahir Yagcilar, ministrja Nekibe Kelmendi, ministri Zenun Pajaziti, si dhe Bekim Çollaku, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit.
Koha Ditore