Beteja e Evropës për energjinë

Varësia e Evropës nga importet e energjisë, sipas analizave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), do të rritet. Prodhimi i brendshëm i energjisë është në rënie dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Është raporti i parë i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë me seli në Paris, i cili shqyrton politikën energjetike të gjithë BE-së. Objektivat kryesorë të përmendur nga Agjencia janë siguria e furnizimit, rritja ekonomike dhe mbrojtja e ambientit. Raporti jep një rezultat qetësues për BE-në në tërësi. Një ndër ta është shtimi i varësisë energjetike nga Rusia. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë, Nobuo Tanaka merr shembullin e vendit të tij të origjinës, Japonisë. Ajo është thuajse 100 për qind e varur nga furnizimi nga jashtë me energji. Megjithatë, përmes diversifikimit të furnizuesve ka arritur një siguri të mjaftueshme furnizimi. Për këtë arsye, Tanaka përpiqet t’ua heqë frikën evropianëve, të cilëve Rusia iu lëvron rreth 30 për qind të naftës dhe gazit. “Rusia është shumë më tepër e varur nga Evropa sesa Evropa nga Rusia. Rusia eksporton 70 për qind të këtyre produkteve në Evropë dhe për Rusinë është po aq logjike të diversifikojë klientelën, duke iu drejtuar p.sh. Kinës ose vendeve të Paqësorit. Ky diversifikim përmirëson sigurinë në të dy drejtimet.” Në temën e diversifikimt, Tanaka gjen dyer të hapura te komisari i BE-së për Energjinë, Andris Piebalk, aq më shumë pas luftës së re në Kaukaz: “Mendoj se pas ngjarjeve në Gjeorgji, objektivi i diversifikimit të furnizuesve dhe rrugëve të furnizimit, merr edhe më shumë rëndësi.” Megjithatë, BE-ja vazhdon të qëndrojë në projektin e saj për ndërtimin e të ashtuquajturit naftësjellësi Nabuko që kalon në Gjeorgji. Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë vlerësoi shprehimisht sistemin evropian të të drejtave të emisionit, i cili rëndon financiarisht emetimin e gazrave të dëmshëm për klimën.

Në SHBA dhe Australi po diskutohet mbi shembullin evropian. Por Tanaka sheh edhe mangësi në politikën energjetike evropiane, në radhë të parë në faktin që ajo vazhdon të jetë e orientuar nga interesat kombëtare. Kjo pengon konkurrencën dhe është ineficiente. Për të kapërcyer këtë situatë, ai kërkoi ndarjen e të drejtave të pronësisë në prodhimin dhe rrjetin shpërndarës të energjisë: “Ne jemi pra për t’u dhënë pavarësi të plotë shfrytëzuesve të rrjetit nga fushat e tjera të industrisë energjetike. Rregullimi nga shteti mund të ketë efekt deri në një farë mase, por ajo mbetet gjithnjë zgjidhja e dytë optimale.” Në këtë pikë për kohë të gjatë kanë bllokuar në radhë të parë koncernet gjermane të energjisë, të mbështetur nga Qeveria në Berlin. Vetëm kohët e fundit nën trysninë e Brukselit, këto koncerne kanë ofruar për shitje rrjetet e tyre.”

Gjermanisë, ku koalicioni qeveritar vazhdon të mbështesë daljen nga energjia bërthamore, i duhet të dëgjojë kritikën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. “Më lejoni të them qartë se është e vështirë të kuptohet si mund të përputhet një dalje nga energjia bërthamore me objektivin për prodhimin e energjisë së pastër në BE!” – tha Tanaka. Por këtu mendimet janë të ndryshme. Thuajse askush në BE nuk e kundërshton objektivin e diversifikimit në anën e importit të energjisë. Por në temën e energjisë bërthamore shumë zëra përmendin problemin e pazgjidhur të depozitimit përfundimtar të mbetjeve bërthamore, çështjet e sigurisë së reaktorëve dhe së fundi edhe faktin se urani është një lëndë e parë me rezerva të kufizuara dhe pra me tendencë shtrenjtimi. Pra, beteja verbale vazhdon.

Gazeta Express / Deutsche Welle