Nisi ndërtimi i sistemit për heqjen e hirit të KEK-ut

KEK-u ka njoftuar se ka nisur implementimi i projektit për largimin e hirit nga blloqe e Termocentralit “Kosova A”. Kompania Dobersek që kishte fituar në tender, do ta kryejë komplet punën brenda këtij viti.

Kostoja totale e projektit është 8.6 milionë euro, nga të cilat 7.6 milionë janë investime vetanake të KEK-ut, ndërsa 1 milion euro janë kontribut nga Banka Botërore. Me implementimin e këtij sistemi do të zvogëlohet emisioni i grimcave të pluhurit deri në 80 për qind. Grimcat e pluhurit qe dalin nga shiritat transportues kanë ndikim të madh në ambient.

Zyrtarë të Korporatës thanë se projektin për largimin e hirit KEK-u e ka marrë me seriozitetin më të madh për shkak të rëndësisë që e ka për ambientin. “Korporata do t’ju jap përkrahjen e plotë. Të njëjtën kohë presim nga ju që të kryeni punën me sukses të plotë dhe në afatin e parapare”, u theksua.

Kompania Dobersek e specializuar në kryerjen e punëve të tilla është zotuar të kryejë punën siç parashihet me kontratë. Në bazë të projektit përfundimisht do të eliminohet bartja e hirit me shirita deri në Kodër të hirit, duke u zëvendësuar me bartje hidraulike prej bunkerëve të termocentralit “Kosovas A” drejt minierës së zbrazur të Mirashit.

Eliminimi i shiritave transportues për bartje të hirit përveç që largon problemin e hirit fluturues në ambient gjithashtu mundëson edhe kompletimin e rehabilitimit të Kodrës së Hirit konform dizajnit të projektuar. Termocentrali “Kosova B” ka kohë që e ka të instaluar këtë sistem.

Ky projekt edhe njëherë fuqishëm potencon përkushtimin e Korporatës drejt eliminimit të ndikimeve negative në ambient nga operimi i KEK-ut.

Kostoja totale e këtyre projekteve shkon në mbi 20 milionë euro, me burime të financimit nga vetë KEK-u si dhe donacione nga Banka Botërore dhe Qeveria holandeze.

Projektet e mëdha ambientale në KEK kishin nisur në pjesën e fundit të vitit 2009 me pastrimin dhe rehabilitimin e Kodrës së Hirit pranë TC “Kosova A”, pastrimin e 18 mijë tonelatave të mbetjeve të rrezikshme kimike nga fabrika e mëhershme e KEK-ut për ndarje kimike, mbjellja e fidanëve në katër deponi të djerrinës, përkatësisht në deponinë.

Telegrafi

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.