Nga korrjet e grurit Kosova siguroi 55 për qind të nevojave

Prishtinë, 15 gusht 2006 – Tomë Hajdaraj, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se nga korrje shirjet e sivjetshme janë siguruar 230 mijë tonë grurë, të cilat do t’i plotësojnë rreth 55 për qind të nevojave të vendit.

Hajdaraj, në paraqitjen e aktiviteteve dy mujore të ministrisë veçoi nënshkrimin e ligjit për tokat bujqësore si dhe nënshkrimin e memorandumit me Bosnjë Hercegovinën, ku për herë të parë është bërë eksportimi i kafshëve të gjalla në këtë shtet.

Zëvendësministri Hajdaraj vlerësoi lart edhe veprimet për ruajtjen e pyjeve, që sipas tij janë bërë 135 kontrolle dhe janë konfiskuar 1 mijë e 620 metra kub dru teknik.

ECIKS / QIK