PRIZREN, 29 QERSHOR – Sipas zyrtarëve komunalë të Prizrenit, komuna ka ndarë rreth 2 milionë euro për realizimin e 11 projekteve të ndërtimit dhe meremetimit të rrugëve, kurse në realizimin e këtyre projekteve do të participojnë edhe vetë qytetarët, njoftuan ata të shtunën. Hanefi Muharremi, drejtor i Drejtorisë së Komunikacionit thotë projekti kryesor në këtë plan është asfaltimi i rrugës Gjonaj-Kushnin i Hasit, 17 kilometra për të cilën komuna ka ndarë 500 mijë euro, ndërsa për realizimin e këtij projekti do të participojnë edhe qytetarët. Ndërkaq, për asfaltimin e rrugës për në fshatin Manastiric (fshat i banuar me popullatë boshnjake në Luginën e Lumbardhit) komuna dhe komuniteti kanë dhënë nga 200 mijë euro, shton Muharremi. Ai sqaron dhe njofton se edhe KFOR-i ka ndihmuar dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sidomos në fshatra të komunës së Prizrenit. Sipas Muharremit, komuna gjatë dy vjetëve të fundit ka dhënë rreth 3 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës, ndërsa deri tashti me këto mjete janë asfaltuar rreth 4 kilometra rrugë, kurse me kubëza janë shtruar 12 sosh, janë rregulluar 17 kilometra kanalizim dhe rreth 8 sosh ujësjellës. “Në realizimin e të gjitha këtyre projekteve kontribut të madh (me participim në shumë prej 50 për qind) kanë dhënë edhe vetë qytetarët, sepse buxheti i komunës ka qenë i kufizuar”, thotë Hanefi Muharremi.
ECIKS/KOHA