Në buxhetin e Kosovës, 30 milionë euro nga procesi i privatizimit

Agjencia Kosovare e Privatizimit do të derdh në buxhetin e Kosovës shumën prej 30 milionë eurosh, para këto të cilat janë alokuar nga procesi i privatizimit dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore.

Në takimin e sotëm që drejtues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit patën me ministrin e Financave, Bedri Hamza, u sqarua se mjetet që do të derdhen në buxhetin e Kosovës, janë të grumbulluara nga procesi i likuidimit të 65 ndërmarrjeve shoqërore, nga rreth 180 ndërmarrje sa janë përfshirë në procesin e likuidimit.

Zyrtarë të AKP-së njoftuan ministrin Hamza se likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe bartja e fondeve të mbetura në buxhetin e Kosovës paraqet fillimin e kurorëzimit të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. Në këtë takim u diskutua edhe mundësia e bartjes së mjeteve të tjera të tepërta nga 115 ndërmarrje shoqërore që janë tashmë në proces të likuidimit, derisa është duke u përgatitur tereni që edhe ndërmarrje të tjera shoqërore të përfshihen në procesin e likuidimit.

Me qëllim të ofrimit të shërbimeve profesionale dhe përshpejtimin e procesit të likuidimit, AKP ka përzgjedhur përmes një procesi tenderues ndërkombëtar, kontraktorin për përpilimin e portofolios së ndërmarrjeve shoqërore, e që në Kosovë janë rreth 600 sosh.

/Koha/