Ndërtimi i koridorit 8 perfundon në 2013

BARI, 20 SHTATOR 2003 – Ministrat e Transportit të 5 vendeve që përfshihen në Korridorin 8 janë angazhuar dje gjatë takimit që u zhvillua në Bari të Italisë për përfundimin e këtij projekti brenda vitit 2013. Duke ushtruar në këtë mënyre presion te organet vendimmarrëse të Komisionit Evropian për të mos miratuar një studim teknik që parshikon shtyrjen e financimeve për këtë projekt deri në vitin 2020.

Korridori 8 përfaqëson një mundësi zhvillimi dhe për këtë arsye realizimi i tij kërkohet me ngulm nga të gjitha vendet e interesuara, theksuan dje në Bari të gjithë ministrat e Transportit, të cilët në përfundim të takimit të zhvilluar në Fiera del Levante nënshkruan një dokument ku parashtronin synimet e tyre.

Ministri grek i Transporteve, Kristos Verelis, ai i Maqedonisë Milaim Ajdini, i Shqipërisëe Spartak Poçi dhe Zëvendësministrja bullgare Aneliya Krushkova, i paraqitën kolegut të tyre italian, Pietro Lunardi, situatën në vendet e tyre duke theksuar rendësinë e këtij projekti. Ministri grek deklaroi se është realizuar 56 % e infrastrukturës dhe se qëllimi i qeverisë së tij është zhvillimi i zonës së Ballkanit edhe në kuadrin e parashikimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Verelis foli, gjithashtu, edhe për planin e qeverisë greke që parashikon punime të shumta në rrjetet rrugore të vendeve juglindore.

Perfaqësuesi i Republikës së Maqedonisë sugjeroi prezencën e një përfaqësuesi për çdo vend në Sekretariatin që u inaugurua dje në Bari dhe shprehu dëshiren për një “unitet” gjithnjë e më të fortë për të siguruar lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave. Rreth 22 për qind e gjatësisë totale të rrjetit rrugor të parashikuar nga Korridori 8 i takon Maqedonisë.

Zëvendësministrja bullgare evidentoi rëndësinë e Korridorit 8 duke kujtuar se “jo vetëm do të promovojë marrëdhënie të integruara, por do të plotësojë edhe kushtet për një zgjerim të ardhshëm të Bashkimit Evropian”. “Përpjekjet e përbashkëta do të na inkurajojnë për të thelluar bashkëveprimin tonë, duke tërhequr kapitale të reja publike dhe private. Një infrastrukturë moderne do të bëjë të mundur thellimin e marrdhënieve njerëzore dhe t’i jap fund konflikteve dhe qëndrimeve armiqësore”, theksoi ajo. Në përfundim të fjalës së saj, Krushkova përkrahu mundësinë e një lidhjeje hekurudhore direkte mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi për të fuqizuar marrdhëniet mes Kaukazit dhe Azisë Qendrore.

Ministri shqiptar, Spartak Poçi, mbajti qëndrimin më kritik, duke shprehur mosaprovimin e tij për faktin se nuk janë bërë hapa përpara për realizimin e Korridorit 8 dhe ka shpjeguar se, Shqipëria po punon për ndërtimin e degëve të ndryshme dhe segmenteve rrugore që lidhen me to, si edhe për zhvillimin e porteve, sidomos atij të Durrësit, që duhet të arrijë standartet evropiane.

ECIKS / KORRIERI