Ballkani drejtë një tregu unik

BARI, 20 SHTATOR 2003 – Më 30 tetor në Firencë, ministrat e Financave të vendeve të Ballkanit mund të miratojnë zonën e shkëmbimit të lirë, njoftoi sot në Bari zëvendësministri italian për Aktivitetet Prodhuese, Adolfo Urso, në përfundim të vizitës së tij zyrtare në edicionin e 67-të të Fiera del Levantes.

“Shpresojmë se gjatë takimit në Firence të përfundojë marrëveshja mes vendeve të Ballkanit dhe të procedohet më pas me realizimin e zonës së shkëmbimit të lirë që do t’u mundësojë shoqërive që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë, përfshirë këtu edhe ato italiane, të mbështeten në një treg prej 55 milionë konsumatorësh”, theksoi zëvendësministri Urso.

Ai njoftoi gjithashtu se nga data 22 shtator do të nisë “misionin e tij zyrtar” në vendet e zonës së Ballkanit, Bullgari, Kroaci, Bosnje, Mal i Zi, Maqedoni dhe Rumani dhe se “13 nëntori në Romë mund të shënojë datën e fillimit efekiv të zonës për një treg të vetëm”. Urso foli gjithashtu edhe për 19 ekspertët, tutorët teknikë italianë të cilët do të jenë asistentë pranë administratave dhe qeverive të vendeve të zonës së Ballkanit. Të paktën 16 prej këtyre ekspertëve do të vendosen pranë administratave të vendeve të Ballkanit, kurse tre prej tyre pranë organizatave ndërkombëtare.

“Të gjithë së bashku do të japin ndihmën e tyre për privatizimin, përpunimin e normave dhe strategjive në zonën e Ballkanit si edhe do të shoqërojnë shoqëritë italiane që do të investojnë në këto territore. Në Bari, ku do të jetë edhe selia e sekretarisë teknike të Korridorit 8, do të jenë në dispozicion teknikë të cilët do të bëjnë të njëjtën punë me kolegët e tyre që veprojnë jashtë Italisë për të realizuar një shkëmbim sa më të lirë në zonën e Ballkanit”, përfundoi ai.

ECIKS / BalkanWeb