Mobikos, Mobitel fitojnë tenderit për telefoninë mobile

Prishtinë, 29 qershor 2004 – Kompania pejane Mobikos dhe ajo sllovene Mobitel janë fituese të tenderit për telefoninë e dytë mobile në Kosovë. Anton Berisha kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit tha se Mobikos ka fituar tenderin me vendim unanim të të gjithë anëtarëve të Bordit. Sipas Berishës të gjitha parametrat financiarë, ekonomikë dhe ligjorë kanë qenë në favor të kompanisë Mobikos dhe se vendimi hynë në fuqi që nga dita e sotme.

Sipas zyrtarëve të ART-së kriteret kryesore në bazë të të cilave është zgjedhur fituesi i tenderit kanë qenë çmimi i ofruar, plani i biznesit, cilësitë e shërbimeve dhe mundësitë për zgjerimin e rrjetit, teknologjia dhe kostoja e shërbimeve për konsumatorët.

Të gjitha këto kushte, sipas zyrtarëve të ART-së i ka përmbushur më së miri Mobikos, i cili detyrohet të derdhë për licencë 6.5 milionë euro në konton e buxhetit të Kosovës.

Për licencën e operatorit të dytë të kësaj telefonie kishin konkurruar gjithsej gjashtë kompani.

ECIKS / RTKLive / QiK