Telefonia mobile: Reagojnë Kryeministri dhe Zyra Amerikane

Prishtinë, 19 qershor 2004 – Kreu i qeverisë Bajram Rexhepi, ka konfirmuar se i është drejtuar me një shkresë zëvëndës kryeadminstratorit Çarlls Brajshou përmes të cilës ka kërkuar që të suspendohet procesi i tenderimit të operatorit të telefonisë mobile, për të hulumtuar nëse bëhet fjalë për korrupsion dhe keqpërdorime. Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit thotë se Mobikosi nuk ka lidhje me Mobtelin e Serbisë. Mirëpo në një deklaratë dhënë muaj më parë drejtorët e këtij operatori thanë se janë trashëgimtarë të Mobtelit serb.

“Procesi i tenderit për provajderin e dytë të telefonisë mobile është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën. Zhvillimi i një sistemi bashkëkohor komunikues është një element i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe për promovimin e investimeve ndërkombtare”, tha udhëheqësja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Marcie Ries, ne reagimin e saj menjëherë pas shpalljes së fituesit.

Investitorët potencial do të dëshirojnë të dijnë nëse ky proces është kryer në mënyrë transparente dhe profesionale. Njoftimi i befasishëm sot për vendimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit shtron pyetje rreth procesit që është ndjekur që të arrihet te ky vendim. Ne jemi të brengosur, për shembull, nëse ka patur kohë te mjaftueshme që të bëhet një shqyrtim i plotë i mijëra faqeve të dokumentacionit teknik të dorëzuar vetëm në gjuhën angleze. Ne i nxisim institucionet e Kosovës që të shikojnë me kujdes nëse ky proces është kryer në mënyrë të drejtë dhe të duhur”, thuhet në deklaratën e znj. Ries.

ECIKS / RTKLive / QiK