BPK tërhiqet zyrtarisht nga swift-kodi Serb

Prishtinë, 29 qershor 2004 – Bordi Drejtues i Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës (BPK) pezulloi zyrtarisht vendimin për shfrytëzimin e kodit bankar Swift të Serbisë dhe Malit të Zi. Bordi i BPK-së kërkoi nga menaxhmenti i kësaj banke që të angazhohet maksimalisht në gjetjen e zgjidhjes më të mirë lidhur me kodin bankar Swift, i cili do të përdoret për operimet e saj në tregun financiar ndërkombëtar. Lidhur me kodin Swift menaxhmenti i BPK-së tani vetëm ka filluar negociatat me rrjetin ndërkombëtar të Swift-it në Bruksel dhe me Organizatën për Standardet Ndërkombëtare (ISO). Menaxhmenti i BPK-së në takimin e ardhshëm duhet të raportojë lidhur me rezultatet e negociatave për gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme lidhur me kodin Swift. Si rezultat i statusit të pazgjidhur politik, Kosova nuk ka të drejtë të ketë kod të vetin bankar. Mirëpo deri më tani të shtatë bankat komerciale kosovare kanë shfrytëzuar kode të vendeve të tjera, pavarësisht nga marrëveshjet me bankat homologe. Vendimi për përdorimin e kodit bankar Swift të Serbisë dhe Malit të Zi, ka shkaktuar muajin e kaluar reagime të ashpra të institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Pas këtyre reagimeve UNMIK-u hoqi dorë nga ky vendim. Në takimin e ardhshëm të Bordit Drejtues të BPK-së do të shqyrtohet propozimi për inkuadrimin e të deleguarve nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në këtë organ drejtues. BPK-ja është degë e UNMIK-ut, që menaxhohet nga kosovarët dhe është autoriteti i vetëm që rregullon sistemin bankar, punën e kompanive të sigurimeve dhe skemat private të pensionit në Kosovë. BPK-ja i kryen të gjitha punët e një banke qendrore, por në mungesë të statusit të pazgjidhur ajo nuk e posedon kodin bankar Swift.

ECIKS / Biznesi