Mitrovicë: një varg projektesh në infrastrukturë

Mitrovicë, 21 prill 2004 – Mustafë Pllana, kryeshefi i ekzekutivit të Kuvendit Komunal në Mitrovicë, njoftoi gazetarët me përpjekjet e pushtetit lokal për të përmirësuar jetën e qytetarëve mitrovicas, të cilët ballafaqohen me probleme të ndryshme, veçanërisht ato të infrastrukturës.

Pllana përmendi një numër të madh projektesh, disa prej të cilave tanimë veç kanë filluar të realizohen. Projekti më kapital që përmendet dhe që pritet të përfundojë deri në muajin maj të këtij viti, është faza e dytë e ndërtimit të ujësjellësit në fshatin Kqiq i Madh, në vlerë prej 251 mijë euro, mjete këto të siguruara nga buxheti komunal.
Ndërsa një projekt tjetër që gjithashtu është në përfundim e sipër, sipas tij, është ai për instalimin e ashensorëve në 6 ndërtesa shumëkatëshe në qytet, që ka kushtuar 120 mijë euro. Edhe këto mjete, thotë Pllana, janë ndarë nga buxheti i komunës.

Deri në fund të muajit maj të këtij viti, thotë kryeshefi i ekzekutivit, pritet të përfundojë edhe projekti për rinovimin e qendrës së sporteve të vogla “Fatime Gjaka”, për realizimin e të cilit Ministria e Kulturës ka ndarë 76.000 euro.

Sipas tij, tanimë ka përfunduar projekti për instalimin e ngrohjes në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, kurse në përfundim e sipër është edhe ndriçimi publik i qytetit.
Ndërkaq, në procedurë e sipër, pohoi ai, është zgjedhja e implementuesve për realizimin e projektit për pastrimin e bodrumeve të ndërtesave në qytet, mandej për projektin e pastrimit të rrugëve në qytet, gjelbërimin e qytetit.

ECIKS/Biznesi