Prishtinë, 21 prill 2004 – Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kosovëre të Mirëbesimit (AKM), Marie Fuci është shprehur se, vetëm bordi i AKM-se e askush tjeter, ka të drejtën të emerojë dhe shkarkojë drejtorin e Pergjithshem të kësaj agjencie. Drejtoresha e shkarkuar ditë më parë nga shefi i UNMIK-ut, Marie Fuci, i ka dërguar atij një letër, në të cilën ajo e kritikon për vendimin e marrë më parë lidhur me shkarkimin e saj nga posti i drejtoreshës së AKM-së. Me anë të kesaj letre në adresë të tij, përfaqësuesve ndërkombetarë dhe atyre vendorë të AKM-së, ajo e ka kundërshtuar shkarkimin e saj. Vendimin për shkarkimin e saj e kanë përshëndetur të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit kosovarë të bordit të AKM-së. Refuzimi i saj lidhur me shkarkimin erdhi një ditë pas kthimit të saj nga Brukseli, ku kishte udhetuar së bashku me shefin e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Nicholas Lamsdorf. Më parë, është spekuluar se Mari Fuci do të emërohet në postin e këshilltares së Lamsdorf. Me anë të kësaj letre në adresë të kryeadministratorit, Harri Holkeri ajo ka berë të qartë qëndrimin e saj, se nuk do të heqë dorë nga posti i drejtores së përgjithshme të AKM-së. Një qëndrim i tillë i saj ka berë, që edhe mbledhja e rregullt e AKM-së, të shtyhet. Institucionet, qeveria dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, e kanë cilësuar Marie Fuci, si bllokuesen kryesore të procesit të privatizimit në Kosove.
ECIKS / Balkanweb