Miratohet akciza fiske mbi naftën

Tiranë, 12 nëntor 2004 – Komiteti Ndërministror i Politikave Ekonomike miraton propozimin e Ministrisë së Ekonomisë për ngrirjen (fiksimin) e akcizës mbi naftën. Kjo ministri e cila është edhe ideatorja për ngrirjen e saj ka kërkuar që ajo të mos vilet më në përqindje në bazë të çmimit të referencës, siç ndodh tani, por me një akcizë fikse lekë për litër. Specialistë të kësaj ministrie kanë kërkuar që akciza fikse të luhatet ndërmjet kufinjve 27 dhe 13 lekë për litër. Ky propozim pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave dhe nëse ai miratohet atëherë kalon për miratim në parlament. Kjo do të thotë se nëse miratohet ky propozim atëherë të gjitha kompanitë importuese nuk do të paguajnë më akcizën në përqindje, por në çmim fiks. Çmim i cili ka si kufi minimal çmimin prej 13 lekësh për litër dhe maksimal 27 lekë për litër. Sipas Ministrisë së Financave, ngrirja e akcizës mbi naftën do të bëjë që në rastet e rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare të frenojë rritjen e mëtejshme të akcizës mbi gazoilin. Në këtë mënyrë edhe ekonomia dhe konsumatorët do të jenë më të mbrojtur nga rritja e çmimit të gazoilit dhe efektet negative që vijnë nga rritja e saj.

Reagimi i Ministrisë së Financave erdhi pas një sërë kërkesash që importuesit e hidrokarbureve i drejtuan Ministrisë së Financave për vendosjen e një akcize fikse. Ata argumentojnë se vendosja e akcizës fikse siç është në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, shërben si “amortizator” kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare rritet. Sipas Viktor Nushit, sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës së Shoqërive Importuese të Hidrokarbureve, metoda që aktualisht shfrytëzohet bën që sa më shumë të rritet çmimi i gazoilit në tregjet ndërkombëtare, aq mq shumë të rritet edhe akciza mbi të. Kjo pasi rritet çmimi i referencës në dogana. Kjo bën që këta faktorë të referohen në çmime të cilët çojnë edhe në rritje të tij. Ndërsa nëse do të miratohej propozimi në fjalë një gjë e tillë nuk do të ndodhte më pasi akciza ka një vlerë fikse, maksimale dhe të pa kapërcyeshme sado që të rritet çmimi i gazoilit në tregjet ndërkombëtare.

Specialistët

Disa specialistë të tregut të hidrokarbureve shprehen se miratimi i këtij propozimi nga parlamenti dhe aplikimi i tij le shumë mundësi për të abuzuar. Kjo duke pasur parasysh se akciza do të luhatet ndërmjet kufinjve prej 13 deri në 27 lekë për liter, atëherë mund të abuzohet në drejtim të përcaktimit të akcizës me të cilën do të taksohet gazoili. Pra, sipas tyre, duhet të ishte përcaktuar një çmim fiks, i pa ndryshueshëm. Ndërsa rasti i dytë, sipas specialistëve, do të lërë mundësi abuzimi për importuesit. Kjo pasi kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare të rritet edhe përse është ulur akciza, importuesit do ta ngrejnë çmimin. Sipas tyre, ndodh një gjë e tillë pasi dihen tashmë prirjet e importuesve për të përfituar fitime sa më të majme. Këtë ata e argumentojnë me faktin qe e njëjta gjë është bërë pak kohë me gazin dhe nuk ka pasur asnjë pasqyrim të këtij efekti në çmimin e këtij të fundit.

ECIKS / Biznesi