TIRANË, 10 JANAR 2004 – Riaktivizohet sektori minerar në Shqipëri. Pas shumë vitesh humbje dhe mosprodhimi të minierave shqiptare viti 2003 ka njohur një rigjallërim të këtij sektori. “Gjatë vitit të kaluar kemi një aktivizim të ndjeshëm të sektorit minerar, e në mënyrë të veçantë të minierave në krom, bakër, nikel, silikat, si dhe të të gjitha llojeve të materialeve të ndërtimit”, -është shprehur ministri Doda. Sipas tij, në total kundrejt vitit 2002, prodhimi u rrit me rreth 30 për qind.
Ndërkohë që sipas ministrit, me rreth 30 për qind janë rritur edhe investimet private, duke kapur vlerën e 13 milionë dollarëve. Kurse të ardhurat nga lejet minerare, arritën në rreth 40 milionë lekë ose rreth 2 herë më të larta se në vitin 2002. Sektori minerar me rreth 3 mijë e 200 të punësuar, në vitin 2003 prodhoi dhe eksportoi një vlerë prej rreth 25 milionë dollarë.
“Në degën e kromit, viti 2003 shënoi fillimin e daljes nga një prej krizave më të thella që ka njohur tregu ndërkombëtar i kromit, ndërkohë që në 6-mujorin e dytë të vitit u rrit ndjeshëm si prodhimi, ashtu edhe investimet”, pohon Doda. Ndërsa, sipas ministrit në degën e bakrit, po ndiqen hap pas hapi investimet e kompanisë koncesionare “Beralb” në minierën e Munellës dhe në fabrikën e pasurimit të Fushë Arrëzit. Doda sqaron se edhe në degët e tjera, gjatë vitit 2003, ka patur zhvillime pozitive, investime të konsiderueshme janë kryer për përgatitjen e vendburimeve të nikelit dhe silikatit.
ECIKS / SHEKULLI