Më pak bukë nga Serbia

Prishtinë,6 gusht 2007 —Përfundimi i korrje-shirjeve të grurit nuk është i kënaqshëm. Por nëse krahasohet me vitin e kaluar, kur Kosova nuk ka mundur të sigurojë mbi 50 për qind të nevojave direkte të popullit për ushqim, këtë vit ato janë tejkaluar pak mbi 10 për qind.

Por, statistikat e Ministrisë së Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MPBZHR), me ato të profesorëve, të cilët i kanë grumbulluar ato në tërë territorin e Kosovës, janë të ngjashme, por jo edhe të njëjta. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, këtë vit Kosova ka siguruar nevojat për ushqim rreth 20 për qind më mirë sesa vitin e kaluar. “Sivjet rezultatet e korrje-shirjeve janë më të mira se viteve të kaluara. Sipas të dhënave që kemi mbledhur deri tash, nga ky vit janë siguruar rreth 70 për qind e nevojave të popullit të Kosovës. Kjo nënkupton se në këtë vit është siguruar grurë për 20 për qind më shumë”, tha Adem Arifaj, zyrtar në MPBZHR.

Ndërsa, profesori Ymer Rusinovci, i cili është ligjërues në Universitetin e Prishtinës (UP), ka thënë se rezultatet e sivjetme nuk mund të konsiderohen si një sukses i arritur. Ai ka mbledhur të dhënat në të gjitha rajonet e Kosovës, dhe, sipas tij, këtë vit është siguruar 60 apo 65 për qind e nevojave direkte për ushqim. “Nuk mund të thuhet se kemi arritur një sukses. Ajo që është realizuar këtë vit, ka ndodhur edhe para dy viteve. Kjo që kemi siguruar ne nënkupton se është realizuar 60 apo 65 për qind e nevojave të drejtpërdrejta. Meqë në Kosovë industria ushqimore nuk funksionon, kjo mund konsiderohet në këtë masë”, tha ai.

Por, edhe nëse konsiderohet kjo si e arritur, e tëra ka ndodhur me fuqinë e fermerëve kosovarë, që nënkupton se nuk ka pasur subvencione nga Qeveria e Kosovës.

Muhamet Farizi, drejtor i prodhuesve kosovarë të miellit, ka thënë se Zoti ka qenë ai i cili ka ndikuar që rezultatet të jenë më të mira se vitin e kaluar. “Nëse i krahasojmë me vitet e shkuara, viti i kaluar ka qenë më i dobët sesa sivjet. Ndërsa viti i parvjetmë ka qenë më i mirë se vjetmi dhe i sivjetmi. Po edhe këtë vit rezultati është i kënaqshëm. Faktori kryesor për këtë rezultat të mirë është Zoti. Në fazën e rritjes së grurit, kushtet klimatike kanë qenë shumë të mira”, tha Farizi.
Një gjë të tillë e ka thënë edhe Arifaj në MPBZHR, i cili ka dhënë se angazhimi i kosovarëve për t’i punuar tokat e tyre me këtë kulturë, ka ndikuar në këtë.

“Kjo ngritje ka ardhur si rezultat i vullnetit të mirë të fermerëve, të cilët kanë qenë të gatshëm të punojnë. Edhe kushtet klimatike janë njëri ndër faktorët kyçë që ka ndikuar në rritjen e rendimentit. Subvencione aktualisht nuk ka nga ministria jonë, por fermerët janë të liruar nga taksat për plehrat dhe në disa çështje të tjera”, shtoi ai.

Pjesën tjetër që Kosova nuk ka mundur ta sigurojë nga tokat e saj, ajo zakonisht e ka importuar. Vendi i cili ka përfituar më së shumti nga kjo mungesë është Serbia, e cila ka plotësuar nevojën tjetër që kosovarët të ngopen më bukë. Për këtë Farizi ka thënë se Kosova ka mjaft kapacitete prodhuese, të cilët do të arrijnë të sigurojnë nga importi apo nga rezervat e tyre pjesën e pasiguruar të miellit.

Kosova në tri vitet e fundit nuk ka mundur ta tejkalojë këtë sasi të grurit. Brenda kësaj kohe, viti i kaluar ka qenë më i dobët sa i përket sigurimit të miellit.

“Pjesa tjetër do të sigurohet prej importit, kryesisht prej vendeve fqinje. Realisht nuk bën askush të krenohet. Në tri vitet e fundit, rezultati ka qenë afërsisht i njëjtë, përveç vitit të kaluar kur thatësia ka qenë e madhe. Ndërsa këtë vit kushtet klimatike kanë qenë më të mira se vitin e kaluar”, tha Rusinovci.

ECIKS / Gazeta Express