Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Rumania janë vendet ku normat e interesit janë më të lartat. Sipas Bankës së Shqipërisë, në këto vende kamatat për kredi janë 14.1 për qind. Sipas BSH-së, një gjë e tillë ndodh për shkak të konkurrencës monopoliste
Tiranë, 4 gusht 2007 — Shqiptarët paguajnë interesat më të larta në rajon për kreditë që marrin nga bankat private. Banka e Shqipërisë njoftoi se interesat e kredisë në këtë vend janë më të ulëta vetëm me ato që zbatohen në Serbi, ndërsa janë dukshëm më të larta se ato të vendeve të tjera të Ballkanit dhe Evropës Qendrore e asaj Lindore. Më konkretisht, norma mesatare vjetore e interesit të kredive aktualisht në Shqipëri është 14.1 për qind, ndërkohë që mesatarja e rajonit është 12 për qind. Por, kjo mesatare është ndikuar shumë nga norma e lartë prej rreth 16 për qindësh e interesave në Serbi.
Pas Shqipërisë, në listë për norma të larta të interesit të kredisë vjen Rumania, ku interesat janë rreth 13.9 për qind. Ndërsa vendet e tjera janë të gjithë poshtë nivelit të 10 përqindëshit. Por, nëse për dy vendet e mësipërme, Serbisë dhe Rumanisë, normat e larta të interesave për kreditë shpjegohen me përqindjen e lartë të kredive të pakthyera, të cilat arrijnë deri në 8 herë më të larta se ato të shtetit shqiptar,edhe pse në Shqipëri këto interesa janë të pashpjegueshme. Në fakt, me gjithë numrin e madh të bankave që operojnë në këtë vend, një studim i fundit i Bankës së Shqipërisë e ka cilësuar tregun bankar me konkurrencë monopoliste, që do të thotë se ekziston një shkallë diferencimi në sistem, ku bankat operojnë në segmente të ndryshme të tregut dhe ofrojnë produkte të ndryshme nga njëra-tjetra. Kjo, e shoqëruar me kërkesën e lartë të ekonomisë për para, çon në norma të larta të interesit për kreditë që japin bankat.
“Shqipëria mund të quhet padyshim parajsa e bankave, kjo të paktën po të krahasohet me vendet e tjera të ish-bllokut komunist. Përveç normave të larta, shqiptarët janë edhe huamarrësit më korrektë. Niveli i kredive të pakthyera në vendin tonë është vetëm 3.3 për qind, ndërsa në Serbi ky nivel është 24 për qind dhe në Rumani 8.5 për qind”, kështu është vlerësuar në Shqipëri nga mediat dhe Banka e Shqipërisë, problemi i normës së lartë të interesit. Kreditë me probleme në rajon janë më të ulëta se Shqipëria, vetëm në Bullgari dhe Kroaci me respektivisht 2.2 dhe 2 për qind.
ECIKS