Mbi 10 milionë euro në hidrocentralin e parë privat

Florin Krasniqi, biznesmen shqiptaro-amerikan, ka investuar mbi 10 milionë euro për 8,3 MW/orë energji elektrike në hidrocentralin e parë privat në Kosovë

Prishtinë, 14 tetor 2005 – Filloi punën hidrocentrali i Lumbardhit në Kozhnier të Deçanit, hidrocentral i parë privat që ndërtohet në Kosovë. Investitori i këtij hidrocentrali është biznesmeni Florin Krasniqi, president i kompanisë Triangle General Contractorc Inc, me qendër në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prodhimi në këtë objekt energjetik evidenton edhe megavatët e parë të prodhuar nga një kompani private. Triangle General Contractorc Inc, në marrëveshje me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, ka marrë në shfrytëzim afatgjatë këtë hidrocentral. “Është një shembull i shkëlqyer, kur investitori privat hyn në rrezikun e investimeve dhe bën biznes. Ministra kosovare e Energjetikës është e interesuar të ndihmojë me të gjitha mënyrat, që ata të kenë leverdi për investime,” tha Agron Dida, zëvendësministër në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave.

Biznesmeni Krasniqi tha se gjysmën e investimeve e ka siguruar përmes një kredie që ka marrë nga qeveria amerikane. “Ka qenë problem sigurimi i kredisë, sepse është e para që institucionet shtetërore amerikane japin për një investitor privat. Kosova nuk ka infrastrukturë ligjore për këto lloj kredish, por ne e kemi hapur rrugën, që ishte tepër problematike,” tha Krasniqi. Krasniqi këtu ka investuar mbi 10 milionë euro, dhe do të prodhojë 8,3 MW/orë energji elektrike. Menaxheri i KEK-ut, John Ashley, tha se sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë për investime të mëdha dhe kapitale.

“Realizimi i projektit në Kozhnier është një moment që u hap rrugë investimeve private në industrinë elektroenergjetike,” tha ai. Zëvendësministri Dida tha se ka edhe biznesmenë të tjerë të interesuar për të riaktivizuar edhe hidrocentralet e tjera në Kosovë. Agim Krasniqi, drejtor teknik i hidrocentralit, tha se me energjinë që prodhohet në këtë hidrocentral mund të furnizohet një pjesë e madhe e komunës së Deçanit. “Ia vlen shumë të investohen në energjetikë,” tha ministri Haki Shatri.

Biznesmeni Krasniqi tha se projekti është realizuar për 18 muaj, dhe ka punësuar 22 punëtorë.

ECIKS / Biznesi