Demokratët hedhin poshtë me 68 vota marrëveshjen me turqit. PS, 30 vota pro, 7 abstenime
Tiranë, 14 tetor 2005 – Parlamenti rrëzon marrëveshjen e qeverisë “Nano” për privatizimin e kompanisë së telefonisë fikse “Albtelekom Sh. A.” nga kompania turke “Calik Comunication”. Shumica e re parlamentare ka votuar dje kundër ratifikimit të marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë socialiste të drejtuar nga ish-kryeministri Fatos Nano dhe kompanisë turke “Calik Comunication”, e cila u shpall fituese nga tenderi i hapur ndërkombëtar i zhvilluar disa muaj më parë nën drejtimin e ish-ministrit të Ekonomisë dhe Privatizimit, Anastas Angjeli. Pas një seance të stërzgjatur parlamentare, shumica dhe opozita nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ratifikimin e marrëveshjes në fjalë, duke bërë të pavlefshëm të gjithë procesin e privatizimit, i zhvilluar në disa etapa tenderuese, duke votuar me 68 vota pro kundër miratimit të saj, 30 pro dhe 7 abstenime. Por qeveria shqiptare mund të penalizohet nga kompania turke për anulimin e procesit të privatizimit të Albtelekomit. Sipas anëtarit të Komisionit të Ekonomisë, Aleksandër Biberaj, kompania fituese mund të padisë Ministrinë e Ekonomisë për mosratifikimin e marrëveshjes dhe të kërkojë dëmshpërblim.
Ndërkohë pas rrëzimit të marrëveshjes është miratuar projektvendimi që i hap rrugë fillimit të ekspertizës ndërkombëtare, e cila do të verifikojë nëse procedurat e ndjekura nga qeveria e mëparshme për privatizimin e kompanisë së telefonisë fikse “Albtelekom sh.a” nga kompania turke “Calik Comunication”, kanë qenë të rregullta dhe ligjore. Gjatë debateve para procesit të votimit, deputeti socialist Besnik Dervishi, propozoi që të mos merrej vendimi në këtë seancë dhe gjatë ditëve të mbetura deri më 21 shtator kur skadon afati i ratifikimit të draftmarrëveshjes, qeveria shqiptare të negociojë me kompaninë turke. Dervishi propozoi që për pasojë të shtyhej edhe afati i ratifikimit me disa muaj të tjetër. Por propozimi i tij nuk u mor në konsideratë nga shumica parlamentare. Nga ana tjetër edhe kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Spartak Ngjela, ka shfaqur rezervat e tij lidhur me procedurën që po ndiqte Parlamenti për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, dhe më pas ngritjen e grupit të ekspertizës ndërkombëtare. “Të gjejmë një vijë të mesme që t’ia paraqesim turqve. I japin kohë qeverisë të bëjë ekspertizën. Ky vendim juridikisht nuk zgjidh asgjë. Ose e ratifikojmë, ose jo dhe presim ekspertizën. Pse e doni ekspertizën pa u ratifikuar”, – tha Ngjela. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, është shprehur se projektmarrëveshja do të rrëzohej dhe pas dy muajsh qeveria ta risillte sërish, kur edhe të kishte përfunduar ekspertiza ndërkombëtare. Ndërsa kryetar i grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, është shprehur se, nëse nuk miratohet brenda datës 21 tetor, në këtë ditë gjithçka është negociuar në këtë marrëveshje, rrëzohet në mënyrë automatike. Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Pandeli Majko, tha gjatë diskutimeve se ishin bërë dy ekspertiza ndërkombëtare për privatizimin e kompanisë “Albtelekom sh.a” nga Banka Botërore dhe nga kompania italiane IMI, të dyja në vlerë 2 milionë dollarë. Sipas tij, pala negociuese e qeverisë së mëparshme nën drejtimin e ish- ministrit Angjeli ka pyetur edhe shërbimet sekrete për të marrë të dhëna mbi kompaninë që më pas u shpall fituese.
ECIKS / Shekulli