Mbahet takimi i dytë i negociatave për Tregtinë e Lirë me Turqinë

Grupi Negociator i Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me Turqinë që udhëhiqet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka pritur grupin negociator nga Turqia, ku për dy ditë me radhë është diskutuar për pozitat fillestare në lidhje me produktet industriale.

Deri në takimin e ardhshëm të negociatave, palët u pajtuan që të shkëmbejnë listën e produkteve industriale. Gjithashtu, të dy grupet negociatore u pajtuan që deri në raundin e ardhshëm të shkëmbejnë listën e produkteve bujqësore dhe kërkesat reciproke për mbrojtjen e tyre.

Kosova dhe Turqia në këtë raund të negociatave shkëmbyen informacione për pozicionet e tyre fillestare në sektorin e shërbimeve. Në këtë drejtim ata u pajtuan që të promovojnë bashkëpunimin e ngushtë në mes të dy vendeve në fushën e shërbimeve.

Në këtë raund të negociatave palët përfunduan punën në tekstin për draftin ligjor të marrëveshjes.Raundi i ardhshëm i negociatave do të mbahet në muajt e ardhshëm.

Negociatat për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë filluan në Shtator të vitit 2012. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së CEFTA-s, këto janë negociatat e para që Kosova është duke i negociuar si vend i pavarur.

/Telegrafi/