Marrëveshje transporti Shqipëri-Bullgari

TIRANË – Dje në Sofje Shqipëria dhe Bullgaria kanë nënshkruar një marrëveshje bilaterale për transportin detar tregtar. Kjo marrëveshje u firmos nga Ministri shqiptar i Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi dhe homologu i tij bullgar, Petrov.

Ky dokument zyrtar hyn në radhën e marrëveshjeve që dy vendet kanë nënshkruar edhe më herët në sektorin e transportit në kuadër të bashkëpunimit të vendeve nga Korridori i tetë. Marrëveshja për transportin detar tregtar në mes tjerash parasheh një regjim të veçantë për anijet me mallra të dy vendeve, në mënyrë që të eleminohen procedurat burokratike gjatë transportit.

Te dy ministrat kanë shprehur gatishmërinë e qeverive për të intensifikuar bashkëpunimin dhe shkëmbimet e shumëanshme jo vetëm në transport, por edhe në telekomunikacion, veprimtari tregtare dhe kulturore, etj. duke pasur gjithnjë parasysh zgjerimin dhe zhvillimin e Korridorit të tetë.

ECIKS – (K.D.)