Malaj: Rimbursimi i TVSH-së, brenda 30 ditësh

Nëse shuma nuk rimbursohet brenda këtij afati, atëherë administrata tatimore detyrohet të paguajë interesat. Bizneset e pëlqyera nga tatimorët do të rimburoshen menjëherë, ndërsa të tjerët do të kalojnë një periudhë shqyrtimi

Tiranë, 24 shkurt 2005 – Tashmë TVSH-ja do u kthehet bizneseve brenda një afati kohor që nuk i kalon të 30 ditët. Ministri i Financave, Arben Malaj, deklaroi dje se rimbursimi i TVSH-së do të lehtësohet ndjeshëm, falë kësaj nisme, nëpërmjet të cilës për çdo rast kthimi pagese të bërë më tepër, afati brenda të cilit fillon dhe mbaron procedura. do të jetë vetëm 1 muaj. Malaj sqaroi se është përcaktuar ligjërisht mënyra e procedimit për kthimin e tatimeve të paguara tepër dhe rimbursimin e TVSH-së. Kështu, administrata tatimore është e detyruar të vendosë për kthimin ose jo të shumës së pretenduar si të paguar më tepër, brenda 60 ditësh nga data që tatimpaguesi ka paraqitur kërkesën për këtë qëllim. Njëkohësisht, ligji ka përcaktuar qartë edhe format e kthimit të këtyre pagesave të bëra më tepër. Rimbursimi bëhet duke e kaluar shumën për llogari të pagimit të detyrimeve të tjera tatimore të papaguara të tatimpaguesit, duke e kaluar shumën e paguar më tepër me pëlqimin e tatimpaguesit për llogari të pagimit të detyrimeve tatimore të mëvonshme të tatimpaguesit dhe duke e kaluar shumën e paguar më tepër në llogarinë e tatimpaguesit. “Nëse shuma e paguar më tepër ose shuma e rimbursueshme nuk kthehet në një nga format e përcaktuara më lart, brenda afatit që cituam, dhe nëse nuk është refuzuar, atëherë administrata tatimore detyrohet të paguajë interesa,” deklaroi Malaj. Përcaktimi i kritereve për rimbursimin e TVSH-së së eksportuesve do të bëhet duke u bazuar në analizën e riskut. Kështu, eksportuesit me risk zero apo minimal do të rimbursohen praktikisht menjëherë, brenda 15 ditëve, dhe pa kontroll paraprak. Ata me risk mesatar do të rimbursohen brenda 25 ditëve, dhe gjithashtu pa kontroll paraprak. Ndërsa në kategorinë e tretë do të përfshihen të gjithë eksportuesit e tjerë, të cilët do të rimbursohen brenda 30 ditëve, por duke iu nënshtruar paraprakisht kontrollit nga administrata tatimore. Gjithashtu u njoftua se borxhi prej 800 milionë lekësh, që shteti i ka biznesit, do të likuidohet brenda këtij viti. “Nevojitet nënshkrimi i një marrëveshjeje dypalëshe që realizon pagesat e prapambetura për 800 milionë lekë, proces i cili nuk duhet të vonohet, dhe duhet të mbikëqyret në zbatimin korrekt të tij,” u shpreh Malaj.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, të ftuar në takimin me ministrin (ku i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së) nuk e fshehën kënaqësinë që problemi shumë i diskutuar i rimbursimit të TVSH-së dukej se po gjente zgjidhje. “Më në fund ka diçka konkrete nga Ministria e Financave,” tha kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi, duke shtuar se ky veprim është një përgjigje ndaj kërkesave të komunitetit të biznesit. “Do të donim që Drejtoria e Tatimeve ta administronte siç duhet këtë vullnet,” deklaroi ai. Alban Zusi, përfaqësues i Shoqatës së Eksportuesve, u shpreh se kjo nismë e Ministrisë së Financave do të sillte shumë avantazhe për eksportuesit shqiptarë. “Këto biznese, që kryesisht funksionojnë si fasoniste, kanë arritur në një fazë të tillë konkurrimi që sjell nevojën për jo thjesht përpunim për të tretët, por edhe për përdorim të lëndës së parë vendëse,” tha Zusi, duke shtuar se në këtë pikë eksportuesit përballeshin me problemin e rimbursimit të TVSH-së. “Por ndryshimi i bërë në këtë drejtim sjell avantazhe, jo thjesht në eksportimin e lëndës së parë, por lehtëson edhe eksportimin e produkteve të përpunuara,” u shpreh Zusi, në emër të eksportuesve. Sipas tij, kjo nismë, lidhur me rimbursimin e TVSH-së, do të ndihmonte edhe në formalizimin e ekonomisë.

ECIKS / Shekulli