Malaj: Buxheti shtesë në dobi të investimeve publike

Tiranë, 04 qershor 2004 – “Buxheti suplementar i shtetit shqiptar, cili është hartuar mbi bazën e të ardhurave të realizuara nga privatizimi i Bankës së Kursimeve, do të përdoret 50% për uljen e borxhit të brendshëm të qeverisë dhe 50% për investime të brendshme në sektorët prioritarë të ekonomisë”, tha dje në një konferencë për shtyp, ministri i Financave Arben Malaj.

Sipas ministrit Malaj, buxheti suplemetar është hartuar në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social dhe me instrumentat financiare në mbështetje të kësaj strategjie. “Në buxhetin suplemetar Arsimi do të zërë 10.4%, Shëndetësia 13%, Transporti 50%, Rregullimi i Territorit dhe Turizmit 25.5% dhe 25 milionë lekë do të jenë për Gjykatën dhe Prokurorinë e krimeve të rënda”, tha z.Malaj.

Sipas tij, përdorimi i këtyre të ardhurave sipas vendimit të sapomiratuar nga Këshilli i Ministrave do të krijojë mundësi nga njëra anë për rritjen e investimeve publike (arsim, shëndetësi, infrastrukturë) dhe nga ana tjetër për reduktimin e borxhit të brendshëm të qeverisë. “Kjo formulë që shoqëron tendencën pozitive të investimeve të parashikuara në buxhetin e vitit 2004, e kombinuar dhe me faktorë të tjerë fiskalë dhe monetarë, krijojnë premisat e konsolidimit të financave publike dhe të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike”, tha Malaj. “Qëndrueshmëria fiskale, ulja e defiçitit, ulja e normave të interesit, ulja e kostos së parasë, rritje e ndjeshme e kredisë (kredia e re e lëvruar gjatë tremujorit të parë 2004 është 28 miliardë lekë ose 60% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2003), si edhe rritja e invesimeve publike dhe private janë terreni më i përshtatshëm për të siguruar qëndrueshmëri dhe për të realizuar objektivin e rritjes ekonomike”, theksoi ministri i Financave, Malaj. Tenderi për privatizimin e Bankës së Kursimeve u mbyll në fund të vitit të kaluar dhe u fitua nga Raiffeisen Zentral Bank, e cila e bleu atë kundrejt shumës 126 milionë dollarë.

ECIKS / Balkanweb