Trianë, 19 prill 2004 – Nëpër rrugët e Shqipërisë lëvizin shumë automjete me targa kosovare të cilat normalisht duhet të jenë të siguruara për dëmet që mund të shkaktojnë apo për përgjegjësi të tjera që mund të kenë ndaj të tretëve. Në rast aksidenti këto dëme mbulohen nga shoqëria e sigurimit tek e cila ato janë të siguruara. Por nëse kjo është procedura normale, në shumë raste nuk ndodh kështu. Janë disa raste ku automjetet me targa kosovare shkaktojnë dëme brenda territorit shqiptar dhe këto nuk mbulohen nga kompania e sigurimit ku automjeti është i siguruar. Kjo me një farë të drejte pasi kompanitë kosovare të sigurimit mbulojnë dëmet e shkaktuara nga makinat kosovare vetëm në qoftë se këto të fundit janë të pajisura me kontratën e sigurimit të automjeteve “TPL Kosova Plus”. Kjo është një kontratë sigurimi që u miratua nga marrëveshja e mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës (të përfaqësuar nga UMNIK-BPK) dhe që mundëson lëvizjen e lirë të automjeteve kosovare në Shqipëri. Por autoritetet shqiptare në pikat kufitare (policia) në këtë kuadër të lëvizjes së lirë nuk ua kërkon të gjitha automjeteve kosovare “TPL Kosova Plus”, duke i lejuar ato të hyjnë në territorin shqiptar. Por këto automjete mund të mos jenë të pajisura me këtë produkt dhe si të tilla ato nuk janë të siguruara për dëmet që mund të shkaktojnë. Në rast se këto automjete shkaktojnë dëme brenda territorit shqiptar, këto dëme nuk rimbursohen pavarësisht se automjeti është i siguruar në një kompani sigurimi në Kosovë. Sipas Avni Ponarit, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë së sigurimit SIGAL, janë rreth 30 raste dëmesh nga automjetet kosovare që janë të pazhdëmtuara për shkakun e përmendur më sipër.
Marrëveshja
Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është një marrëveshje që u lidh midis UMNIK-BPK dhe Byrosë Shqiptare të Sigurimit. Kjo marrëveshje u lidh me qëllim të lëvizjes së lirë të automjeteve në dy vendet. Kështu, sipas marrëveshjes, parashikohet që të gjitha automjetet me targa regjistrimi shqiptare lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës me kontratën për sigurimin e automjeteve (TPL e brendshme shqiptare). Në këtë pikë duket qartë se për automjetet shqiptare lëvizja në Kosovë mund të bëhet vetëm me TPL-në e brendshme, e cila është e vlefshme edhe për territorin e Kosovës, pa patur nevojë për të marrë një sigurim shtesë siç ndodh në rastin kur ato lëvizin në të gjitha vendet e tjera, ku automjetet duhet të pajisen me kontratën e sigurimit kufitar. Në kundërshtim me këtë Memorandumi i Mirëkuptimit parashikon që të gjitha automjetet me targa kosovare mund të hyjnë lirisht në territorin e Republikës së Shqipërisë duke paraqitur në pikat e kalimit kufitar kontratën e sigurimit të automjeteve (TPL Kosova Plus). Pra, automjeteve kosovare u duhet të pajisen më një produkt shtesë (TPL Kosova plus) që të mund të lëvizin lirisht në territorin shqiptar, ndërkohë që automjeteve shqiptare kjo lëvizje e lirë u sigurohet vetëm me kontratën e sigurimit TPL, që është e detyrueshme të merret për lëvizjen brenda territorit shqiptar.
Memorandumi i Mirëkuptimit është një marrëveshje që u propozua nga autoritetet e sigurimeve të administruara nga UMNIK-Kosovë dhe që u pranua nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve, me miratimin e Këshillit të Byrove në Londër. Kjo marrëveshje mundësoi lëvizjen e lirë të automjeteve në Kosovë pasi automjetet kosovare nuk mund të përdornin Kartonin Jeshil dhe nuk kishin asnjë mundësi për të lëvizur jashtë territorit të Kosovës, ndërkohë që motoristët e huaj ishin të detyruar të lidhnin kontratë kufitare për të hyrë në territorin e Kosovës, pavarësisht se ata ishin të pajisur me Kartonin Jeshil.
ECIKS / Biznesi