Ligjërohet TVSH-ja

Është miratuar në parim Projektligjin për Tatimin në Vlerën e Shtuar. Ende nuk është vendosur a do të jenë të ngarkuara me normën prej 15 për qind, apo 0, veprimtaritë botuese, mediat dhe organizatat joqeveritare.

Prishtinë,20 tetor 2006 — Kuvendi i Kosovës, pa votat e partive opozitare, ka miratuar në parim Projektligjin për Tatimin në Vlerën e Shtuar, i njohur me shkurtesën TVSH.

Ky ligj pritet t’i zëvendësojë të gjitha rregulloret e UNMIK-ut për këtë lëmi, dhe në të njëjtën kohë të zgjerojë bazën tatimore duke synuar rritjen e të hyrave që ndikon drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e buxhetit të Kosovës. Ende mbetet e paqartë a do të jenë të ngarkuara me normën prej 15 për qind, apo 0, veprimtaritë botuese, mediat dhe organizatat joqeveritare.

Sponsoruesi i këtij projektligji, ministry i Ekonomisë dhe Financave (MEF), Haki Shatri, tha para deputetëve se me Ligjin për Tatimin në Vlerën e Shtuar zëvendësohen të gjitha rregulloret e UNMIK-ut në këtë lëmi.

Sipas ministrit, Shatri, me këtë projektligj arrihen disa qëllime, si harmonizimi i përmbajtjes së tij në krahasim me ligjet e njëjta të BE-së.

“Me ligjin e ri për TVSH-në do të rritet efikasitet në vjeljen e këtij tatimi nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës, duke ndikuar në shkurtimin e afateve të kthimit të TVSH-së dhe, po ashtu ky ligj do të zgjerojë bazën tatimore duke mundësuar rritjen e të hyrave publike pa ndryshuar normat tatimore”, tha Shatri.

Më këtë ligj, sipas Shatrit, do të bëhen ndryshime edhe tek procesi i definimit dhe regjistrimit të biznesit. Deputetet e Grupit parlamentar të Partisë më të madhe opozitare PDK, duke kërkuar që ky projektligj të mos kalojë, theksuan se edhe pse kanë shpresuar se me këtë projektligj do të përmirësohet politika fiskale, projektligji i ri, sipas tyre, vetëm përmbledh disa rregullore të cilat tashmë ekzistojnë. Ky projektligj, sipas tyre, duhet të stimulojë prodhimin vendor, investimet në Kosovë dhe të destimulojë importin e prodhimeve të huaja.

Deputetët e PDK-së kërkuan që me këtë projektligj të parashihet ndryshimi TVSH-së, varësisht prej produkteve të cilat prodhohen dhe importohen në Kosovë. Flora Brovina, nga PDK-ja, po ashtu bëri disa vërejtje dhe sugjerime lidhur me këtë projektligj dhe kërkoi që vërejtjet e parashtruara të përfshihen në të.

Xhevdet Neziri, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), shprehu pajtimin e tij më këtë ligj dhe theksoi se qëllimi i tij është që të përmirësojë inkasimin e TVSH-së.

Ky projektligj, sipas AAK-së, është i përafruar me shtetet e BE-së, mirëpo, sipas tyre, ai duhet t’i përshtatet me shumë situatës ekonomike në Kosovë.

Ndryshe tatimi në vlerën e shtuar ka filluar të aplikohet në Kosovë që nga viti 2001, në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 2001/1, e cila është ndryshuar në vitin 2002. Kjo rregullore, me disa ndryshime të vogla që janë bërë në të, vazhdon të mbetet në fuqi.

Ligji i ri të cilin në parim e votuan deputetët e Kuvendit të Kosovës, ka 8 kapituj të përpunuar me 30 anekse.

Aktualisht në Kosovë aplikohen dy forma të tatimit si TVSH. Ajo prej 15 për qind dhe 0 për qind, e cila është për disa produkte bujqësore. Ditë më parë, përfaqësuesit e mediave kanë kërkuar që shuma prej 15 për qind për mediat elektronike mos të mbetet e tillë. Pasi që, sipas tyre, gjendja aktuale e mediave në Kosovë është shumë e rëndë.

Gazeta Express