Agjencia Antikorrupsion do të evidentojë pasurinë e zyrtarëve të lartë

Prishtinë, 23 tetor 2006 – Dukuria e korrupsionit vitet e fundit ka shënuar rritje në Kosovë. Këtë e konfirmon edhe raporti i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhvillimin NDP.

Organizata e OKB-së, për zhvillimin në një raport të saj thotë se, burim kryesor i gjenerimit të korrupsionit në Kosovë janë partitë politike, doganat, shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e administratës publike. Megjithë mekanizmat për luftimin e korrupsionit kjo dukuri ne vitet e fundit ka shënuar rritje në Kosovë. Mirëpo faji për korrupsion nuk i adresohet vetëm tek institucionet e Kosovës, por edhe tek qytetarët që ofrojnë ryshfete.

Mekanizmat që më së shumti luftojnë dukurinë e korrupsionit në Kosovë tash për tash janë mediat. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se, qeveria në luftimin e kësaj dukurie ka arritur të krijojë vetëm legjislacionin e nevojshëm, rritjen e sistemeve të transparencës dhe rritjen e vetëdijes qytetare për luftimin e kësaj dukurie negative.

Në Kosovë, aktualisht është formuar agjencia kosovare kundër korrupsionit. Kjo ka qenë edhe kërkesë e grupit të kontaktit. Agjencia antikorrupsion tash për tash ka për detyrë që të përcjell të gjitha informatat tek prokuroria e cila më pas duhet të merret me ngritjen e akuzave. Hasan Preteni, udhëheqës i agjencisë antikorrupsion shprehet se hapi i parë e kësaj agjencie, do të jetë evidentimi i pasurisë së udhëheqësve të institucioneve të Kosovës.

Preteni: “Në radhë të parë do të evidentohet pasuria e të gjithë personave zyrtarë të lartë, duke filluar nga presidenca, Kuvendi, kryeministria, ministritë. Do të përcillet pasuria e tyre kohë pas kohe. Përkufizimet rreth pranimit të dhuratave, përcjellja e asaj që mund të vijë deri tek konflikti i interesave, që personat të cilët kryejnë detyrat e larta zyrtare, të mos të jenë të lidhur me kryerjen e veprimeve të tjera fitimprurëse.”

Grupi i kontaktit, në paketën e fundit me kërkesa drejtuar qeverisë së Kosovës përfshiu edhe themelimin e agjencisë antikorrupsion dhe kërkoi me urgjencë themelimin e saj. Kuvendi i Kosovës ka kohë që ka miratuar ligjin antikorrupsion, por i vetmi organ që ka kontrolluar keqpërdorimet e mundshme në institucione deri tash ishte auditori i përgjithshëm.

ECIKS / DEUTSCHE WELLE