Nga 100 kompani botërore të interesuara për të investuar miliardat në energjetikë, MEM, deri më 1 nëntor, do të selektojë rrethin e ngushtë prej disa kompanive. Deri tani vetëm kompania çeke CEZ ka zyrën e saj në Kosovë.
Prishtinë, 24 tetor 2006 — Fundi i këtij muaj është data kur do të dihet rrethi i ngushtë i firmave për investime në energjetikë. Konferenca e parë dhe e vetme që është mbajtur pak kohë më herët për investime në sektorin e energjetikës, shumë kompani të mëdha botërore i ka detyruar të orientohen për në Kosovë.
Rezervat e mëdha të linjitit të cilat i ka Kosova janë arsyeja kryesore që këto kompani janë të interesuara që një pjesë të kapitalit të tyre ta investojnë këtu.
Zyrtarët nga Ministria e Energjetikës dhe Minierave (MEM), shprehen të bindur që faza parakualifikuese do të përfundojë më 31 tetor, ndërsa gjatë vitit 2007 do të zgjidhet edhe investitori i cili pranon kriteret e qeverisë dhe ofron kushtet më të mira.
“Në fund të tetorit do të mbyllet faza parakualifikuese e investitorëve, pas kësaj faze do të zgjidhet një grup i ngushtë i atyre kompanive që janë të interesuar të investojnë këtu, më pas në bazë të kritereve tona, dhe kushteve që ofrojnë ata do të zgjidhet investitori i cili do ta ketë të drejtën të investojë në Kosovë në sektorin e energjetikës”, tha Agron Dida, zëvendësministër i Energjetikës dhe Minierave.
Komiteti Drejtues në fund do ta shpallë investitorin fitues, dhe zyrtarët nga Zyra e Rregullatorit te Energjisë konsiderojnë se ende është herët të flitet se kush mund të jetë fitues potencial i cili do ta ketë të drejtën të investojë këtu, dhe, sipas tyre, krejt do të bëhet e ditur pasi të vendosë Komiteti Drejtues.
“Do të ketë mbledhje Komiteti Drejtues, dhe pastaj ata do ta shpallin edhe fituesin dhe do kohë që të vendoset. Ndërsa kush mund të llogaritet favorit të jetë fitues ende është shumë herët të flitet, sepse është mbajtur vetëm një konferencë dhe ka shumë për t’u bërë më vonë”, tha Naim Bejtullahu, zëvendësdrejtor në Zyrën e Rregullatorit për Energji.
Kompania çeke CEZ, njëra ndër kompanitë e cila është treguar e suksesshme vitet e fundit në sektorin e energjisë dhe e cila pretendon që do ta fitojë të drejtën për të marrë në shfrytëzim kapacitetet tona energjetike, tregon për Express planet e saj rreth investimit në Kosovë. CEZ është i vetmi nga rreth 100 kompanitë e interesuara për energjetikën, që ka hapur zyrën e saj në Kosovë :Kosova new Energy”, për të cilën kompani është i angazhuar ish-kryeministri Bajram Rexhepi.
Sipas Rexhepit, kjo kompani konsiderohet si njëra ndër kompanitë më të fuqishme, dhe e cila, një pjesë të kapitalit të saj, është e interesuar ta bartë në Kosovë, duke investuar në energjetikën e Kosovës.
“CEZ menaxhon me një kapital të mjaftueshëm, është kompani e kombinuar shtetërore dhe private, ku 70 për qind të aksioneve të kësaj kompanie i ka shteti dhe 30 për qind janë aksione private.
CEZ-i është një prej kompanive që ka shpreh interesim për të investuar në Kosovë në sektorin e energjetikës, edhe në riparimin e blloqeve të termocentralit Kosova A, edhe në termocentralin Kosova C, i cili pritet të ndërtohet, ku CEZ është një kompani e cila ka kapacitete të shitblerjes së energjisë elektrike”, tha Rexhepi, i cili është këshilltar i jashtëm i CEZ-it dhe shef i Zyrës “Kosova new Energy”.
Rexhepi tha se vetë hapja e zyrës në Kosovë nënkupton seriozitetin e saj për investim këtu, ku, sipas tij, CEZ pret ta kalojë fazën parakualifikuese, apo, pra, rrethin e parë, në të cilin janë katër kritere mjaft të ashpra, dhe të shkojnë më tutje. Por, ai, gjithashtu, tregoi se jo të gjitha kompanitë do ta kalojnë fazën parakualifikuese, por, sipas tij, CEZ do ta kalojë këtë fazë duke marrë parasysh kapacitetin e saj.
“Edhe përkundër interesimit të shumë kompanive për investim këtu, një numër i vogël do të kualifikohen për më tutje deri sa të shpallet investitori. Ne jemi optimist se nëse tenderi hapet në mënyrë transparente, atëherë ndoshta do të mund të fitonim. Këtë e them duke parë seriozitetin e kësaj kompanie, por nuk dua të them se kompanitë tjera nuk janë serioze. Përkundër kësaj interesim për investim në energjetikë kanë shprehur edhe shumë kompani tjera të mëdha botërore dhe kjo neve na bënë që të jemi edhe më serioz duke pasur parasysh konkurrencën”, shtoi ai.
Rexhepi tha se kjo kompani është në gjendje të bashkëpunojë edhe me Qeverinë e Kosovës, që të arrihet një marrëveshje sa më profitabile për Kosovën, ku në këtë mënyrë edhe Kosova përmes qeverisë do të ketë aksione pas investimeve.
“Kjo kompani është e gatshme që të bëjë bashkëpunim edhe me Qeverinë e Kosovës, duke ndarë aksionet sipas marrëveshjes, që në këtë rast të përfitonte Kosova më shumë, duke mos pasur të drejtë vetëm investitori të vendosë më pas për atë pjesë të investimit”, përsëriti Rexhepi.
Paralajmërime për investime në energjetikën kosovarë kanë paraqitur edhe kompani tjera. Deri tash si të interesuar të marrin pasuritë më të mëdha të Kosovës janë paraqitur disa kompani. Investitor potencial i apostrofuar edhe nga mediat me renome botërore është një konzorcium amerikano-grek, ku bëjnë pjesë kompania amerikane CounturGlobal, që thuhet të jetë e afërt me familjen e vet presidentit amerikan George W. Bush, dhe kompanisë shtetërore greke të energjetikës DEI. Në anën tjetër, disa herë interesim ka shprehur edhe kompania e miliarderit rus Oleg Deripaska, Basic Element.
Gazeta Express