Prishtinë, 26 tetor 2006 – Ministria e Transportit dhe Postë-telekomunikacionit bëri sot shpalljen publike të tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë. Me 3 nëntor bëhet shpallja publike e kritereve për oferta, kurse paraqitja e dokumentacionit do të zgjasë 75 ditë, deri më 17 janar të vitit të ardhshëm. Procesi i zgjedhjes së operatorit, pritet të përfundojë kah fundi i muajit shkurt të vitit të ardhshëm.
Për licencimin e operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë është zgjedhë metoda e kombinuar, çmimi minimal 20 milionë euro, plus ankand për këtë çmim, plus i ashtuquajturi Beauty Contest. Kompania që ofron më së shumti të holla në tender fiton 30% të pikëve, për nivelin dhe afatin e mbulueshmërisë, po ashtu fitohen 30%, partneriteti vendor dhe numri i punonjësve siguron 20%, shërbimet dhe kualiteti sjell 10% të pikëve aq sa edhe përvoja në telefoninë mobile.
Ministri Qemal Ahmeti pret që deri në fund të muajit shkurt 2007 të shpallet fituesi i tenderit: “Prej 3 nëntor deri më 17 janar të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë. Aplikimi bëhet sipas ligjit të telekomunikacionit. Pra, do të aplikohet në ART. Nëse na shkojnë punët mbarë edhe mirë, ne mendojmë diku në fillim të shkurtit komisioni vlerësues të paraqet propozimin për kompaninë më të mirë. Pastaj marrim vendim për shpalljen e fituesit”, tha ministri Ahmeti.
Licenca e telefonisë mobile përfshin të drejtën e përdorimit të frekuencave GSM 900/1800 MHz, e cila do të vlejë 15 vjet. Përndryshe, është paraparë që deri sa të merret kodi ndërkombëtar i Kosovës, kompania e cila fiton tenderin, ta shfrytëzojë kodin e vendit prej nga vjen.
ECIKS / RTK