Prishtinë,20 tetor 2006 — Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, në vazhdën e modernizimit dhe krijimit të kushteve sa më të mira për pasagjerët, ka lansuar edhe terminalin e ri të arritjes.
Ky terminal mundëson një arritje sa më të lehtë të pasagjerëve. Sipas drejtuesve të Aeroportit, me këtë terminal është mundësuar që, njëkohësisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të mund të kryhen procedurat për tre aeroplanë të cilët mund të arrijnë në të njëjtën kohë. Deri tani Aeroporti i Prishtinës ka mundur të pranojë pasagjerët e vetëm një aeroplani.
Sipas drejtuesve të Aeroportit kjo është bërë me qëllim të shtimit të kapaciteteve të tij, për shkak se çdo ditë e më shumë po shtohet numri i pasagjerëve të cilët kalojnë nga ky aeroport.
Me formimin e këtij terminali janë zgjeruar kapacitet e arritjes për 468 metra katror, që do të thotë se është dyfishuar kapaciteti, gjë që lejon që njëkohësisht të pranohen tre aeroplanë, përderisa në të kaluarën ka pasur kapacitet për vetëm një aeroplan.
Hapjen e këtij terminali e kanë përshëndetur edhe shefi i Shtyllës së IV të UNMIK, ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit dhe zyrtarë të tjerë.
Sipas tyre, ky është edhe një hap tjetër drejt modernizimit të këtij aeroporti dhe krijimit të parakushteve gjenerale për pajisjen me licencë ndërkombëtare të operimeve.
Gazeta Express