Lëshohet në qarkullim pjesa “problematike” e M2-shit

PRISHTINË, 2 KORRIK 2007- Magjistralja Prishtinë – Shkup, e njohur si M2, në zonën Cagllavicë – Prishtinë, të hënën, është lëshuar zyrtarisht në qarkullim. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili ka marrë pjesë në përurimin e magjistrales, ka thënë se me hapjen e kësaj magjistraleje është lehtësuar komunikimi mes Prishtinës dhe pjesëve të tjera të Kosovës.

“Kjo është një dëshmi tjetër që Kosova po ndërton rrugë të reja të lidhjeve të komunikimeve dhe shkëmbimeve njerëzore e ekonomike”, ka thënë Sejdiu për të shtuar se presidenca inkurajon strukturat kompetente të vendit që t’i kushtohet më shumë rëndësi infrastrukturës, në përgjithësi, në vend.

Me gjithë faktin se zgjerimi i magjistrales që nga fillimi ka hasur në kundërshtime të shumta, nga komunitetit i biznesit dhe popullsia serbe, që jeton në këtë zonë, nën pretekstin se zgjerimi i saj u rrezikonte pronën dhe afarizmin, ministri i MTPT-së, Qemajl Ahmeti, është shprehur se tani projekti ka përfunduar me sukses. Ndonëse ka pasur edhe akuza se në disa pjesë të rrugës, ajo është ngushtuar, “për hatër” të bizneseve, në mënyrë që të mos ua cenojë hapësirën atyre. Kjo madje shihej si në pasqyrë, pa pasur nevojë as të bëhej matja e rrugës, pasi që ka pasur raste kur bizneset janë futur edhe brenda rrugës.

“Rruga është një arterie me rëndësi, në vend, jo vetëm për kyçjen e Prishtinës, por të tërë Kosovës”, ka thënë Ahmeti, për të rikujtuar se në këtë magjistrale janë investuar më se 2 milionë euro. Ai ka thënë se me lëshimin në punë të magjistrales garantohet edhe rritja e sigurisë në këtë aks rrugor.

“Me zgjerimin e kësaj rruge që fillon qysh nga Stacioni i autobusëve te Rrethi, janë reduktuar ngecjet në komunikacion, ngase tani rruga ka katër shirita për qarkullim, shiritin ndarës dhe dy rrugë paralele me gjerësi prej 5 metrash për qarkullimin e komunikacionit lokal”, ka thënë Ahmeti. Ai ka shtuar se në këtë aks rrugor shpejt do të ngrihen edhe mbikalime, ndërkohë që magjistralja do të zgjerohet deri tek rruga e Lipjanit apo QMI-ja.

Në magjistralen Prishtinë – Shkup llogaritet se në ditë kalojnë afro 80 mijë vetura. Punët rreth pjesës së magjistrales që kalon nëpër Çagllavicë kanë filluar në gusht të vitit të kaluar, për ç’gjë është kontraktuar kompania “Papenburg-Adriani”, nga Sojeva e Ferizajt. Në një gjatësi prej 2 km, rruga ka 4 shirita të komunikacionit. Magjistralja, më herët ka ngjallur shumë kundërshtime nga ana e afaristëve që zhvillonin punën e tyre përskaj vendit ku do të kalonte rruga. Shqetësimet e tyre më së shumti kanë pasur të bënin me faktin se “vija e kuqe”, që u është vënë, afaristëve ka lëvizur dy herë.

Një lëvizje e tillë e vijës së kuqe, që dikur ishte bërë si kompromis me popullsinë serbe që banon në atë pjesë, të cilët kanë kërkuar hapjen e një rruge lokale, nëpërmes të cilës do të lidhej fshati Llapnasellë me Graçanicën pa kaluar nëpër magjistralen Prishtinë – Shkup, siç pohojnë zyrtar të MTPT-së tani është zgjidhur me një marrëveshje mes ministrisë dhe afaristëve.

Zgjerimi i magjistrales Prishtinë – Shkup, është në kuadër të projektit për zgjerimin e rrugëve magjistrale, që ka filluar nga ura e Fushë-Kosovës në Prishtinë dhe deri në fund të Çagllavicës në një gjatësi prej 5 km.

ECIKS / Koha Ditore