1 miliardë euro për hidrocentralet mbi lumin Devoll

Tiranë, 1 korrik 2007 – Vendimi u miratua bazuar në projektet e kompanisë së njohur austriake, “EVN”. Kjo kompani ka paraqitur projekte për ndërtimin e tre HEC-ve, me kapacitet rreth 400 megavat së bashku. Këto HEC-e do të ndërtohen bazuar në një sistem tunelesh rreth 50 km të gjatë. Shuma e investimeve për realizimin e tyre do të jetë nga 700 milionë, deri në 1 miliardë euro.

Pas rreth 20 vitesh pa asnjë investim në prodhimin e energjisë, qeveria po mundohet që të vendosë disa piketa që, nëse realizohen, do të bëjnë të mundur që vendi të dalë nga situata e vështirë energjetike me të cilën po përballet gjatë viteve të fundit. Gjatë ditës së djeshme është mbledhur Këshilli Kombëtar i Ujit, i cili kishte si çështje kryesore në rendin e ditës, miratimin e vendimit për përdorimin e rezervave ujore të lumit Devoll, për prodhim energjie.

Shfrytëzimi i këtyre rezervave do të behet me anë të ndërtimit të tre hidrocentraleve, përgjatë tërë kaskadës së tij. Vendimi u miratua bazuar në projektet e kompanisë së njohur austriake, “EVN”. Kjo kompani ka paraqitur projekte për ndërtimin e tre HEC-ve, me kapacitet rreth 400 megavat së bashku. Këto HEC-e do të ndërtohen bazuar në një sistem tunelesh rreth 50 km të gjatë. Shuma e investimeve për realizimin e tyre do të jetë nga 700 milionë, deri në 1 miliardë euro.

Qeveria do të miratojë së shpejti çeljen e tenderit për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve. Kryeministri informoi Këshillin se, pas miratimit të ligjit të ri të koncesioneve janë miratuar për ndërtim 82 HEC-e të vogla, ka përfunduar shqyrtimi i kontratës për HEC-in e Kalivaçit, me kapacitet 100 megavat, ka filluar ndërtimi i TEC-it të Vlorës, si dhe është çelur tenderi për TEC-in e Fierit. Duke folur për projektet e shfrytëzimit të energjisë ujore në tërë kaskadën e lumit Devoll, kryeministri Berisha e vlerësoi atë si një zhvillim të madh, si një vepër ndër më të veçantat e këtij lloji në Shqipëri dhe në Evropë. Kryeministri theksoi se, kjo vepër respekton tërësisht mjedisin dhe bën shfrytëzimin më optimal dhe më ekonomik të ujërave të këtij lumi. Kryeministri u shpreh se “në këtë kontekst, vendimi i sotëm për shfrytëzimin në tërë kaskadën e tij të lumit Devoll, në përputhje me një projekt tashmë përfundimtar të paraqitur nga një kompani e madhe austriake, përbën një zhvillim të madh, pasi vepra është ndër më të veçantat e këtij lloji në Shqipëri dhe në Evropë. Kjo vepër bazohet në ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe një sistem tunelesh prej rreth 48 kilometrash.

Gjithashtu, kjo vepër respekton tërësisht mjedisin dhe bën shfrytëzimin më optimal, më ekonomik, të ujërave të këtij lumi, duke shfrytëzuar tërë kaskadën nga fillimi i burimeve të tij, deri në Banjë dhe ka një investim prej rreth 1 miliardë euro”. Njëkohësisht gjatë mbledhjes së djeshme, kryeministri Berisha bëri të ditura edhe kriteret që do të zbatohen në dhënin për ndërtim të këtij hidrocentrali dhe përparësitë që do të ketë në këtë projekt kompania që e ka hartuar atë. “Projekti i kaskadës së Hidrocentralit të Devollit, vjen këtu për t’u miratuar për shfrytëzimin e burimeve ujore dhe kalon javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për të dalë në tender ndërkombëtar në përputhje me ligjin shqiptar. Natyrisht, kompania që ka sjellë projektin do të ketë 10% të pikëve”,- tha Berisha.

Njëkohësisht në këtë mbledhje janë trajtuar edhe një sërë çështjesh të tjera, që lidhen me pasuritë ujore të vendit. Kryeministri ka bërë edhe një paraqitje të vendimeve që janë miratuar dje. “Në këtë mbledhje, ne do të trajtojmë dhe një seri vendimesh shumë të rëndësishme mbi administrimin e ujit. Miratojmë udhëzimin për miratimin e rezervave ujore, miratojmë udhëzimin për legalizimin e puseve të shpimeve, sepse dhe ato duhet të legalizohen, si dhe duhet të vendoset një disiplinë e rreptë në trajtimin, shfrytëzimin, përdorimin e këtyre rezervave”,- tha Berisha.

ECIKS / Shekulli