Kuvendi i Kosovës kërkon Ministri të Energjetikës

PRISHTINË, 19 qershor 2003 – Kuvendi i Kosovës, në seancën e rregullt plenare, ka analizuar situatën energjetike në vend dhe ka shqyrtuar raportin e Komisionit për Tregti dhe Industri mbi gjendjen në KEK. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë tërhequr vërejtjen për menaxhimin e dobët dhe jotransparent të KEK-ut nga menaxherët ndërkombëtar dhe kanë shprehur dyshimin për ekzistimin e strukturave tjera ndërkombëtare, që mund të jenë të implikuara në keqpërdorimet e mjeteve të dedikuara për investime në KEK. Deputetët kërkuan që këtyre malverzimeve t’u thuhet ndal, përmes zgjerimit të kompetencave të Qeverisë së Kosovës në fushën e energjetikës, duke krijuar një Ministri të re për këtë lëmi. Kuvendi gjithashtu ka aprovuar 10 rekomandimet vijuese:

1. Të formohet komisioni parlamentar për energjetikë;

2. Të nxirren ligjet për veprimtarinë e KEK-ut: ligji për energjetikë, ligji për minierat, ligji për kërkimet gjeologjike dhe ligji për organin e Rregullatorit;

3. Qeveria e Kosovës të marrë sa më shpejt përgjegjësitë në fushën e energjetikës dhe të formohet Ministria për Energjetikë;

4. Të rishqyrtohet ristrukturimi i KEK-ut në mënyrë që të bëhët profitabil dhe konkurent në tregun regjional të energjisë derisa të nxirren ligjet përkatëse sistemore;

5. KEK-u të anëtarësohet si etnitet i veçantë në Institucionet e sistemit elektroenergjetik të Evropës Juglindore;

6. Të përkrahet strategjia e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike;

7. Të ndërtohet linja ndërlidhëse 400 KW në mes të Kosovës dhe të Shqipërisë;

8. Të përkrahet fuqishëm strategjia që kuadrot vendore në të gjitha nivelet të udhëheqin KEK-un, ndërsa kuadrot ndërkombëtare të marrin rolin e këshilldhënësve;

9. Të përkrahet projekti KEK-PO, për rritje të efektit veprues dhe financiar;

10. Kuvendi të autorizojë Qendrën për Hulumtime Financiare (FIU) për hulumtimin e keqpërdorimeve eventuale në KEK.

ECIKS – (K.D.)