Filloi Samiti i Selanikut

SELANIK, 19 qershor 2003 – Në kuadër të Samitit të BE-së që po mbahet në Selanik, përpos çështjeve të brendshme të BE-së, të shtunën do të bisedohet edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Samiti vlerësohet si rast i mirë për Shqipërinë, Maqedoninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë e Malin e Zi për të filluar procesin e integrimit në BE.

Sidoqoftë, zëra nga selia e Bashkësisë Evropiane në Bruksel kanë tërhequr vërejtjen që të mos mbivlerësohet rëndësia e këtij samiti. Se sa janë çështjet e Ballkanit të rëndësishme për opinionin publik në BE dëshmon edhe fakti që mediat e Evropës perëndimore në raportet e tyre nga Selaniku as që kanë përmendur takimin e liderëve të BE-së me kolegët e tyre ballkanik.

Në këtë samit do të marrë pjesë edhe delegacioni nga Kosova, i prirë nga Michael Steiner, e në përbërje, Kryetari Ibrahim Rugova, Kryeministri Bajram Rexhepi si dhe përfaqësuesi serb Millorad Todoroviq. Kryeadministratori Mihael Shtajner do të flasë të shtunën në emër të delegacionit të Kosovës.

Serbia dhe Mali i Zi kishin shpresuar që në këtë samit të ipet drita e gjelbërt për hartimin e analizës së fizibilitetit për kohën dhe kushtet e lidhjes së marrëveshjes stabilizim-asociim me BE-në. Mirëpo, si duket BE-ja nuk është e kënaqur me reformat e arritura në planin e harmonizimit të sistemeve ekonomike në mes të Serbisë dhe Malit të Zi dhe kjo do të jetë pengesa kryesore për fillimin e hartimit të kësaj analize. Shqipëria, për dallim, ka filluar procesin e stabilizim-asociimit me BE-në para disa muajsh dhe në këtë samit pritet të diskutohet ecuria e këtij procesi.

Gjasat për fillimin e dialogut shqiptaro-serb poashtu kanë rënë pasi që Qeveria e Serbisë nuk është treguar e gatshme për këtë. Qarqe diplomatike në Vjenë vlerësojnë se fillimi i dialogut mund të pritet në korrik, në kuadër të një iniciative të Bashkësisë Evropiane.

ECIKS – (K.D.)