Dy pika të reja kufitare mes Shqipërisë e Maqedonisë

TIRANË, 19 qershor 2003 – Shqipëria dhe Maqedonia kanë rënë dakord të hapin edhe dy vendkalime të reja kufitare, në Xhepisht-Trebisht dhe ne Steblevë të Librazhdit. Ky lajm u publikua pas takimit që Ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta kishte me Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferin. Sipas Metës, ata diskutuan edhe rreth bashkëpunimit në fusha që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe reformën në administratën publike, reformën në arsim, etj. Por mbi të gjitha palët u interesuan për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar. Kjo luftë do të mund të realizohet me sukses vetëm nëse bëhet liberalizimi i plotë i regjimit të vizave në mes të dy vendeve, theksoi Meta.

Një rëndësi e veçantë i’u kushtua nxitjes së projekteve të zgjerimit dhe zhvillimit të Korridorit të Tetë, që është me rëndësi jetike për të dy vendet.

ECIKS (K.D.)