Është “çështje javësh” vendosja e masave të reciprocitetit në tregti, ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, për të cilat Qeveria e Kosovës tashmë e ka njoftuar edhe Bashkimin Evropian.
Këtë e pohon zv. kryeministrja Mimoza Kusari-Lila, duke përkujtuar se problemi është tek dy shtetet e rajonit që tash e tre vjet refuzojnë t’i njohin vulat doganore të Kosovës.
“Është çështje javësh kur do të merret vendimi për aplikimin e masave të reciprocitetit ndaj shteteve që nuk i njohin vulat doganore të Republikës së Kosovës. Ky është një qëndrim që është në interes të përgjithshëm nacional”, ka thënë Kusari Lila.
Mosnjohja e vulave nga dy shtete sipas saj është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me marrëveshjen e CEFTA-s. Por, prapë sipas saj BE-ja kërkon që kjo çështje të zgjidhet në rrugë që parashihet në marrëveshjen e CEFTA-s.
“Natyrisht që qëndrimi i Komisionit Evropian është që të përdoren proceduarat për zgjidhjen e konflikteve në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s. Por, deri më tani këto procedura nuk janë përdorur nga Qeveria e Kosovës, sepse do të nënkuptonte që të njihej autoriteti i UNMIK-ut, pasi ai do të duhej të vepronte në emër të Kosovës. Këtu ka lidhje edhe mosnjohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së”, ka thënë Kusari-Lila, e cila mban edhe postin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë.
“Nëse nuk ka një ndryshim të qëndrimit nga ana e Serbisë në pranimin e vulave, atëherë u mbetet institucioneve që të marrin vendimin për çështjen e mosnjohjes së vulave nga ana e Serbisë”, ka shtuar ajo.
ECIKS / Zëri