Vreshtaria “Stone Castle” nga Rahoveci është njëra prej kompanive e cila ka pësuar humbje të mëdha nga mos-implementimi i marrëveshjes së CEFTA-së si dhe nga përfundimi i preferencave tregtare me BE-në.
Një zyrtar nga kompania tha që biznesi i saj është dobësuar qysh nga viti 2008 kur Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina i bllokuan produktet e Kosovës.
Sipas tij, vreshtaria “Stone Castle” ka prodhuar deri në 12 milion litra verë, nga të cilat 3 milion litra janë eksportuar vetëm në Serbi dhe Bosnje. Ai tha që kompania nuk ka humbur blerës vetëm në Serbi dhe Bosnje por edhe në vende të tjera të Evropës gjithashtu. Humbjet janë rezultat i pamundësisë së produkteve të Kosovës të kalojnë nëpër këto vende.
“Ne kemi përdorë rrugë alternative, Maqedoninë dhe Malin e Zi, por nuk ka mbetur rrugë tjetër për kompaninë tonë. Është më e arsyeshme të përdoret rruga drejt vendeve të BE-së që kalon nëpër Serbi. Ne kemi treg në Gjermani, Zvicër, Danimarkë, Kroaci, Slloveni dhe në vende tjera por gjithkund kostot tona janë rritur për 30 përqind,” tha ai.
Preferencat tregtare të BE-së përfunduan në fund të vitit që shkoi dhe renovimi i tyre mbetet ende larg.
ECIKS / Zëri