Kundërthënje rreth ndërprerjes së procesit të privatizimit

PRISHTINË, 10 TETOR 2003 – Përkundër mohimeve kategorike të UNMIK-ut dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë se procesi i privatizimit në Kosovë nuk është ndalur me kërkesë të Serbisë, megjithatë Beogradi ka gisht në këtë ndalesë. Sipas një deklarate të ministrit serb të financave Bozhidar Gjeliq, Beogradi disa herë i ka paralajmëruar zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore se Serbia rregullisht i paguan anuitetet e borxhit të jashtëm të Kosovës, i cili është 1,6 miliardë dollarë dhe se, gjoja, Serbia vetëm gjatë dy viteve të kaluara në emër të kamatave në borxhet e ndërmarrjeve të Kosovës, ka paguar 47 milionë dollarë.

Edhe ministri i ekonomisë Aleksandar Vlahoviq thotë se ndërmarrjet e Kosovës mund të privatizohen vetëm nëse në çmim llogariten edhe borxhet e tyre.

Mirëpo, zëdhënësja e BE-së Monik dë Grot thotë se faza e tretë e privatizimit është anuluar për shkak se administrata e UNMIK-it po bën disa qartësime ligjore që janë në vazhdim e sipër. Ajo hodhi poshtë mundësinë që procesi i privatizimit të jetë ndërprerë me kërkesë të Serbisë.

ECIKS / RTK