Kryeministri u takua me përfaqësuesit e Bankës Botërore

Prishtinë, 3 korrik 2004 – Dje, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, z. Bajram Rexhepi, zhvilloi një takim me z.Kanthan Shankar, përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë dhe me z. Csaba Feher, ekspert për politika te zhvillimit njerëzor, me të cilët ka diskutuar rreth çështjeve sociale, skemave të pensioneve, dhe në veçanti për raportin e Bankës Botërore për ristrukturimin e kompleksit “ Trepça “, thuhet në një njoftim të Zyrës për Informim të kryeministrit të Kosovës.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se rasti i kompleksit “Trepça” duhet te shqyrtohet si rast i veçantë. Me këtë rast, kryeministri Rexhepi falenderoi zyrtarët e Bankës Boterore për raportin dhe gatishmërine e tyre për asistencë gjatë muajve të ardhshëm. Lidhur me këtë, Kryeministri i njoftoi z. Csaba dhe Shankar se në mbledhjen e kaluar Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që të zgjatet skema sipas Memorandumit për Mirëkuptim deri më 31 dhjetor 2004 dhe se ministritë përkatëse (MPMS dhe MEF) do të shqyrtojnë raportin si dhe do të propozojnë opcionet më racionale, me qëllim që të gjindet përfundimisht një skemë më e drejtë, duke krijuar kushte për ristrukturim dhe vitalizim të sektorit të minierave.

Njëherit, kryeministri Rexhepi dhe z. Scaba dhe Shankar ndanë të njejtin mendim se zgjedhja e nje modeli të qëndrueshëm për këtë rast mund të na shërbejë në të ardhmen si model i mirë për rastet e ngjashme, si KEK-u, hekurudhat, etj.

ECIKS