Rifillon privatizimi – AKM shpall raundin e tretë

Prishtinë, 3 korrik 2004 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) ka shpallur dje listën prej 13 ndërmarrjeve shoqërore për raundin e tretë të privatizimit, thotë shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut Nikolas Lambsdorf. Në bazë të rregullores së AKM-së duhen dhjetë ditë për t’i informuar ndërmarrjet dhe komunat ku ndodhen këto ndërmarrje para fillimit të raundit të tretë të privatizimit dhe para se ato të nxirren në shitje, tha Lambsdorf pas një takimi që pati me nënkryetarin e bordit të privatizimit dhe njëherit ministër i Tregtisë dhe Industrisë z. Ali Jakupi.

Ministri Jakupi raundin e tretë të privatizimit e vlerësoi si hap të rëndësishëm me shpresë se më nuk do të ketë ndërprerje të këtij procesi, siç ndodhi më shumë se tetë muaj. Njëherit ai shfaqi shpresën se nuk do të ketë vonesa edhe për raundin e katërt të privatizimit dhe raundet e tjera në vazhdim për t’u kompensuar koha e humbur.

Nga ana e tij, Lambsdorf tha se raundi i katërt mund të shpallet gjatë kësaj vere. Ndryshe tërë procesi i privatizimit duhet të kryhet deri në qershor të vitit të ardhshëm.

ECIKS / QiK