Kryeministri Rexhepi në Dublin

Dublin, 08 prill 2004 – Kryeministri i Kosovës, dr. Bajram Rexhepi arriti parmbrëmë në Dublin, në konferencën ministrore të shteteve anëtare të Bashkimit Evrpian dhe të vendeve kandidate për integrim.

Dje në këtë konferencë, të udhëhequr nga Ministri për Evropë i Irlandës z. Dick Roche dhe Kryetari i Parlamentit Evropian z. Pat Cox, pjesëmarrësit kryesisht diskutuan për focimin e komunikimit ndërmjet institucioneve të Bashkimit Evropian, shteteve kandidate për integrim dhe qytetatëve të atyre shteteve.

Ministri Roche, ndër të tjera, ritheksoi përkushtimin e Irlandës si kryesuese e radhës së BE-së, për afrimin sa më të madh të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Ai vuri në pah se shenjë e këtij përkushtimi është edhe konferenca e sotme dhe mbledhja e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor për të reflektuar bashkarisht në çështjet e së ardhmes së BE-së.

Kryeministri Rexhepi shprehu falëndërimin për ftesën drejtuar përfaqësuesve të Kosovës si një mënyrë për të forcuar komunikimin ndërmjet strukturave të BE-së e shteteve anëtare dhe të vendeve si Kosova. Kryeministri Rexhepi gjithashtu prezentoi punën e bërë deri më tani në drejtim të përgatitjes së Kosovës për integrim në BE dhe ndihmën e mëtejmë që nevojitet në këtë drejtim. Gjatë orëve të pasditës Kryeministri do të ketë një varg takimesh me ministra të shteteve të ndryshme evropiane, përfshirë atë të Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë, Greqisë etj. ndërsa nesër mbërrinë në Prishtinë.

Kryeministri Rexhepi arriti në Dublin nga Tokyo, ku me ftesë të Qeverisë së Japonisë morri pjesë në takimin për konsolidimin e paqes dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

ECIKS / Zyra e Kryeministrit për Informim Publik