AKB: Protestat rrezikojnë investimet

Prishtinë, 08 prill 2004 – Ngjarjet e fundit në Kosovë kanë shkaktuar dëme në zhvillimin ekonomik dhe dëshmuan se investimet në vend shoqërohen më një normë të lartë risku. Kështu janë shprehur drejtues të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB). Gjatë fushatës “Java e biznesit kosovar”, që u mbajt në tetor të vitit të kaluar, në bazë të anketave konsumi i prodhimeve vendore ishte rritur për 60 për qind, mirëpo tani konsumi i tyre ka rënë në më pak se 25 për qind. Agim Shahini, kryetari i AKB-së, tha se protestat e dhunshme kanë rrezikuar pronën dhe pasurinë e bizneseve dhe kanë sjellë dëme në zhvillimin normal të aktiviteteve afariste. “Protestat dërguan një mesazh jo të përshtatshëm për investitorët e huaj potencialë në Kosovë”, – tha ai. Bordi i AKB-së konsideron se përkundër situatës së vështirë të gjithë aktorët e shoqërisë kosovare duhet të marrin masa për tejkalimin e situatës së krijuar dhe për krijimin e kushteve normale për jetë, për biznes dhe për punë.
Shahini tha se qeveria duhet të marrë parasysh edhe dëmet që biznesmenëve iu shkaktuan gjatë trazirave dhe t’iu ndahen atyre nga suficiti i buxhetit kredi për t’i eliminuar dëmet.

Aleanca e biznesit kërkon që të ulet dogana për lëndët e para dhe për paisjet kapitale dhe të shikohet mundësia për kushte më të përshtatshme për TVSH-në në import. Aleanca do të kërkojë edhe sigurimin e certifikatës për prodhimin e mallrave që prodhuesit vendorë t’iu mundësohet eksportimi i tyre.

AKB kërkon që të zhbllokohet procesi i privatizimit i bllokuar për më tepër se gjashtë muaj, të zbatohen në mënyrë të përpiktë kontratat me blerësit dhe të kompensohen dëmet e tyre.

Sipas AKB-së, në Kosovë nuk ka kushte për prodhues, prandaj duhet të bëhen ndryshime në politikën fiskale dhe të përkrahet qeveria për vendimin e saj për dorëheqjen e menaxheres së Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Mari Fuccit, nga posti i saj.

AKB-ja ishte organizatore e fushatës “Java e biznesit kosovar”, që synonte sensibilizimin e konsumatorëve vendorë që të konsumojnë produkte vendore, ndërsa institucionet vendimmarrëse të hartojnë ligje në favor të zhvillimit të tyre

ECIKS / Biznesi