Daci: Ngecje në zhvillimin ekonomik

Prishtinë, 09 prill 2004 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, priti dje zotin Fernando Xhentilini, përfaqësues special për Kosovën i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Havier Solanës. Gjatë takimit me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Kosovë, Fernando Xhentilini, kryeparlamentari Nexhat Daci ka thënë se tri vitet e para të pasluftës, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në Kosovë janë arritur rezultate të lakmueshme në sanimin e pasojave të luftës, ndërsa prej më shumë se një viti vihen re ngecje, sidomos në zhvillimin ekonomik dhe në planin social. Ai ka thënë se rreth gjysma e popullsisë së Kosovës, e cila është nën moshën 25 vjeçare është e papunë, prandaj nuk është e vështirë të kuptohen arsyet që kanë shkaktuar pakënaqësitë e qytetarëve, të cilat shpërthyen në protestat e dhunshme të 17 marsit. Zoti Daci ka theksuar se në të gjitha takimet e tij me zyrtarë ndërkombëtarë ka tërhequr vërejtjen për pasojat e ngecjes së zhvillimit ekonomik dhe të pezullimit të procesit të privatizimit, dhe ka shtuar se vërejtjet e tij kanë hasur në vesh të shurdhër. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Fernando Xhentilini, është pajtuar se ekonomia e prapambetur, mungesa e investimeve dhe papunësia janë faktorë shqetësues në Kosovë, por ka shtuar se nuk mund të thuhet se bashkësia ndërkombëtare ka bërë pak në Kosovë. Ai ka kërkuar që institucionet e Kosovës të bëjnë përpjekje maksimale për evitimin e pasojave të protestave dhe për rikthimin e besimit të faktorëve ndërkombëtarë në synimet demokratike të institucioneve të Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se inspiruesit dhe ekzekutuesit e dhunës si dhe keqbërësit tjerë duhet të nxirren para drejtësisë. Kryeparlamentari Daci ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë të barabartë para drejtësisë dhe ka shtuar se qytetarët serbë të Kosovës do të duhej të angazhoheshin sinqerisht për prosperitetin e Kosovës dhe për interesat e njëmendëta të tyre dhe jo të vazhdojnë të instrumentalizohen nga Beogradi.

ECIKS / Balkanweb