Kriza në Shqipëri mund t’i aktivizojë reaktorët

Sofje, 14 janar 2007 – Problemet energjetike që po kalon Shqipëria po përdoren nga politika dhe mediat bullgare si një argument i fortë, për t’i kërkuar Bashkimit Evropian rivënien në punë të reaktorëve bërthamorë në Kozloduy. Sipas agjencive greke dhe bullgare të lajmeve, Qeveria e Sofjes ka shtuar presionet ndaj Brukselit, duke shfrytëzuar situatën energjetike në Shqipëri. Centralet në Bullgari janë mbyllur më 31 dhjetor të vitit 2006, duke shkaktuar në të gjithë rajonin mungesë të theksuar të energjisë elektrike. Qeveria bullgare miratoi mbylljen më 31 dhjetor të dy reaktorëve bërthamorë në centralin e Kozloduy, sipas direktivave të Bashkimit Evropian, në të cilin Bullgaria u anëtarësua me të drejta të plota nga data 1 janar e vitit 2007.

Qeveria e Bullgarisë do t’i bëjë presion Bashkimit Evropian për të rihapur sërish dy reaktorët bërthamorë të prodhimit të energjisë, dhe sidomos stacionit më të madh të Lindjes Kozloduy. Agjencia bullgare Fokus News konfirmoi në një lajm të saj se Qeveria bullgare ka treguar si arsye krizën ballkanike të energjisë dhe sidomos kërkesën në rritje për eksport që vinte nga Greqia dhe Shqipëria. Agjencia citon burime nga qeveria e Sofjes, ku thuhet se nga kjo varet edhe Maqedonia, Rumania, Serbia, Kosova dhe Turqia. Ministri bullgar i energjisë do t’i bëjë një kërkesë Brukselit në ditët në vijim.

Ministri i energjisë Rumen Ovcharov, deklaroi për agjencinë Reuters se, “Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë energjetike, dhe po ashtu edhe Maqedonia dhe Kosova. Komisioni evropian nuk mund të bëjë një sy qorr e një vesh shurdhër para këtij fakti”, tha ai.

Stacionet bërthamore bullgare kanë përmbushur deri tani deri 80 për qind të të gjitha nevojave energjetike në Ballkan.

ECIKS / LAJM