Rritet fondi blegtoral në Anadrin

Rahovec, 14 janar – Në rajonin bujqësor të Anadrinit ka filluar të rritet interesimi për mbarështimin e bagëtive. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec, fondi blegtoral, i cili gjatë luftës ishte dëmtuar mjaft, tani është dyfishuar. Pas përfundimit të luftës llogaritet se kanë qenë më pak se 4 000 krerë lopë e bagëti të tjera, kurse aktualisht të regjistruara janë rreth 7 000 bagëti të trasha dhe të imta.

Fahredin Krasniqi, zyrtar për Zhvillimin Rural në këtë drejtori, thotë se kohët e fundit ka interesim të shtuar të fermerëve për të ngritur ferma të reja dhe për të shtuar numrin e bagëtive. “Aktualisht në komunën e Rahovecit ekzistojnë mbi 40 ferma moderne komerciale, me mbi 10 krerë lopë qumështore për fermë. Interesimi është në rritje, pasi fermerët po ndërtojnë stalla moderne dhe po përmirësojnë edhe racat e lopëve. Më herët në këto treva bujqësore ka mbizotëruar raca e lopëve Bushe, kurse tani ato Simental, Montafone, Holshtajn etj, që japin sasi të mëdha të qumështit dhe mishit”.

Gjithashtu interesimi për majmërinë e viçave është në rritje, ngase leverdia ekonomike është evidente. “Në territorin e komunës së Rahovecit aktualisht janë mbi 4 000 krerë lopë qumështore, viça, dema e mëshqerra, 2 586 kokë dele, rreth 300 kokë dhi, kurse numri i buajve është në rënie, e mbase edhe në zhdukje. Janë rreth 70 krerë”. Sipas Krasniqit, edhe mënyra e të ushqyerit të kafshëve dhe kujdesit të tyre shëndetësor ka ndryshuar. Fermerët përpiqen të kultivojnë racat më produktive, i ushqejnë me silazh dhe koncentrate të ndryshme, kurse format tradicionale me ushqim të thatë kanë nisur të mos jenë mënyra e vetme e ushqimit të kafshëve.

“Krahas rritjes së interesimit dhe fitimeve të fermerëve nga qumështi e mishi, po vërehet edhe trendi i rritjes së kapaciteteve përpunues të produkteve të qumështit, gjë që është premtuese për ekonominë e vendit tonë”. Duke parë se kultivimi i lopëve qumështore është fitimprurës, Naser Morina nga fshati bujqësor Ratkoc, ka nisur të merret me grumbullimin e qumështit që tre vjet. Tashmë ai nuk është i interesuar vetëm të rrijë e të presë fermerët të sjellin qumështin, por ka nisur ngritjen e një ferme moderne dhe planifikon të blejë 6-7 krerë lopë. “Dëshiroj të kem fermën time, ngase vërej se disa fermerë po arrijnë të fitojnë mjaft mirë. Në ditë grumbulloj nga fermerët e këtushëm mbi 400 litra qumësht që i dërgoj në fabrikat përpunues vendore si ‘Abi & Elif’, ndërsa interesimi i këtyre fabrikave për të rritur kapacitetet përpunuese më ka shtyrë që edhe vetë të ndërtoj një fermë. Besoj se veprimtaritë e mia afariste do t’i shtoj dhe në të ardhmen mund edhe të punësoj ndonjë punëtor në fermën time”.

Një nga fermerët e suksesshëm që tashmë ka nisur të mbarën është edhe Shefki Hoti nga Krusha e Madhe, i cili ka mbi 40 krerë lopë e viça. “Aspak nuk është e lehtë të mbahen e ushqehen gjithë këto bagëti. Në punët e stallës jemi të angazhuar të 21 anëtarët e familjes”. Ai tregon se kanë edhe linjën e ambalazhimit të qumështit në qese plastike, e më pas qumështin e shesin në Prizren. “Por konkurrenca e prodhuesve të huaj ende është e fortë. Asnjë masë stimuluese për fermerët nuk është ndërmarrë nga qeveria jonë deri më tani”. Për të mbajtur këtë numër lopësh, u duhet që pos tre hektarëve tokë që kanë, të marrim me qira edhe 10 të tjera. Me punë kanë arritur të blejnë pajisje bujqësore e makineri të nevojshme për të punuar edhe tokën. Kanë marrë edhe kredi nëpër banka, me qëllim që të arrijnë ta mbajnë si duhet stallën e re të ndërtuar këtë verë.

“Njerëzit e rëndomtë mendojnë se ne po fitojmë shumë, por për të mbajtur një fermë dhe për të punuar mbi 10 hektarë tokë, duhet punë e madhe. Angazhimet tona të përditshme fillojnë në terr dhe përfundojnë në terr”, thotë ky bujk.

ECIKS / LAJM