Prishtinë, 27 dhjetor 2004 – Hulumtimet e Odës Ekonomike të Kosovës tregojnë se janë paraqitur disa parakushte, të cilat janë shpresëdhënëse se vitin e ardhshëm vendi do të ketë një lëvizje pozitive në aspektin e zhvillimit ekonomik. “Paralajmërimi i kalimit të kompetencave te vendorët, në lëmin e politikës fiskale, sistemit bankar, si dhe nënshkrimi i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, janë shenja premtuese se do të ketë lëvizje pozitive në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Ismail Kastrati, kryetar i OEK-ut. Ai i bëri këto komente gjatë nje debati të organizuar nga Oda Ekonomike, në të cilin është diskutuar për aspektet e zhvillimit ekonomik të vendit.
Kastrati tha se Kosova përballet me shumë instuticione vendimmarrëses si UNMIK-u dhe instuticionet e tjera vendore, që sipas tij, ky është shkaku pse mungon profesionalizimi dhe përgjegjësia për vendimet e marra.
Sipas tij, në tregun kosovar nuk janë krijuar kushtet për zhvillim të konkurrencës, duke e vënë biznesin kosovar në pozitë të pabarabartë me konkurrencën e vendeve të rajonit.
“Sikurse në çdo vend tjetër në tranzicion, edhe në Kosovë në këtë fazë të zhvillimit kemi shumë ekonomi informale, të cilat e konkurrojnë biznesin legal në mënyrë të egër dhe jolojale”, tha Kastrati.
Afaristët e pranishëm shprehën shqetësimet e tyre për ambientin kosovar, të papërshtatshëm për të zhvilluar biznes të suksesshëm.
Në takimin e OEK-ut dolën edhe disa konkluzione, si ajo që privatizimi që të mos jetë e drejtë e rezervuar e UNMIK-ut, OEK-u si përfaqësuese e punëdhënësve të jetë i përfaqësuar në Bordin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Fondi Monetar Ndërkombëtar të hapë mundësi për lejimin e kredive për Kosovën etj.
ECIKS / Biznesi